1129

Shtëpitë
Shkolla

Të identifikuara deri tani

Shtëpi shkollë – ndërtesë private e cila u shndërrua në një shkollë të improvizuar, në vitet 90, kur mësimi në gjuhën shqipe në shkolla ishte i ndaluar. Rreth 3000 ndërtesa, kryesisht shtëpi banimi mirëpo me raste edhe depo apo dyqane, siguruan vazhdimësinë e procesit mësimor në Kosovë prej vitit 1992 deri 1999.

Sistemi i mësimit në Shtëpi Shkolla

Në vitin 1989, me heqjen e autonomisë, Kosova humb fuqinë ekzekutive mbi arsimin. Vendimet për kurrikula dhe libra shkollorë mereshin në Beograd, ndërsa veprimet e pushtetit të Serbisë për pengimin e mësimit në gjuhën shqipe po ashpërsoheshin.

Nxësësit, studentët, mësimdhënësit dhe organizatorët e të gjitha niveleve të mësimit në gjuhën shqipte, tashmë ishin përballur me shumë pengesa, që nga dhuna policore, vendosja si kriter për shkollim njohjen e gjuhës serbe deri tek përjashtimet masive të pesonelit të arsimit nga puna.

Një ngjarje kyçe ishte segregimi i arsimit në baza etnike në pranverë të vitit 1990,  fillimisht sipas orarit, e më vonë edhe përmes mureve fizike. Në këtë kohë u bë publik një helmim masiv i nxënësve në disa qytete të Kosovës. Helmimi u dokumentua në raste të ndryshme përgjatë një viti, në shkolla ku kryesisht mësonin nxënësit shqiptarë. Megjithëse numri i të prekurve arrin deri në 8000, përgjegjësit për këtë vepër asnjëherë nuk u gjetën dhe nuk u ndëshkuan.

Në vitin 1991, mësimi në Kosovë parashihej të nisë në shtator edhe në gjuhën shqipe. Megjihthatë, këtë vit, mësimdhënësve dhe nxënësve shqiptarë nuk u lejua hyjnë në shkolla. 

Duke i rezistuar vendimeve të pushtetit serb, ata shkuan në shkollë si gjithë vitet e kaluara. Këtë herë dyert e shkollës nuk i gjetën të hapura, para tyre gjendeshin forcat policore që ua ndalonin hyrjen në hapësirat shkollore.

Autor i fotos: Shyqeri Obertinca

Arsimi paralel, hapësira paralele

Si pasojë e ngjarjeve të më hershme, nxënësit shqiptarë nuk ndoqën mësimin për një vit. Gjatë kësaj kohe u gjetën shtëpi private dhe hapësira të tjera të cilat mund të shërbenin si zëvendësim për ambientet shkollore. Deri në fillim të vitit 1992, u krijua një rrjet i tërë paralel i arsimit, insfrastruktura e të cilit përfshinte thuajse të gjitha institucionet e nevojshme arsimore, megjithëse kishte mungesa të qarta logjistke, të burime njerëzore apo të materiale mësimore.  

‘Shtëpitë-shkolla’ mundësuan krijimin e hapësirave paralele për zhvillimin e procesit mësimor në gjuhën shqipe nëpër të cilin kaluan gati dhjetë gjenerata të nxënësve të të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë. 

Rreth 3000 objekte private që kryesisht ishin shtëpi banimi, zëvendësuan hapësirat e shumicës së shkollave të mesme dhe Universitetit të Prishtinës i cili e organizoi të gjithë aktivitetin e vet në shtëpi-shkolla duke filluar prej marsit të vitit 1992. 

Çdo gjë duhej bërë nga e para. U mor vendimi të riemërohen shkollat, u punua në tekste dhe u themeluan struktura të reja të organizimit për mësimin paralel në gjuhën shqipe, të pavarura prej pushtetit të Serbisë. Bankat, ulëset, mjetet shkollore të gjitha improvizoheshin me mjete rrethanore. Mijëra njerëz u angazhuan që ta mundësojnë vazhdimin e mësimit. 

Në këto rrethana pasigurie, mësuesit duhet të kujdeseshin shumë më shumë sesa vetëm për arsimimin e nxënësve të tyre, ishin në rrezik jetët e tyre, të nxënësve dhe të pronarëve të shtëpive. Ata që angazhoheshin në këtë sistem përndiqeshin rregullisht nga strukturat e shtetit dhe disa mësues edhe u vranë.

Në vitin 1996 u arrit një marrëveshje mes regjimit serb dhe strukturave paralele shqiptare për të lejuar nxënësit dhe mësuesit shqiptarë që të kthehen në objektet shkollore. Ky vendim nuk u respektua asnjëherë. 

Rezistenca paqësore e orgaznizuar rreth vazhdimësisë së edukimit në gjuhën shqipe e arriti kulminacionin e vet në domonstratën e 1 tetorit 1997 e cila mori si shkas mos respektimin e marrëveshjes për lejimin e mësimit në gjuhën shqipe.  Mijëra studentë dolën në rrugë për të kërkuar të drejtën për edukim, në mesin e të drejtave të tjera që atyre u cënoheshin. Protestuesit planifikuan të zhvillonin një marsh përmes qyteti, por, u përballën me dhunë të tepruar nga forcat policore të Serbisë. Kjo ngjarje pati ndikim të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes, pasi u shfaq publikisht dhuna e ushtruar ndaj protestuesve paqësorë që kërkonin të drejtat arsimore.

Kjo epokë e arsimit në Kosovë merr fund vetëm pas përfundimit të luftës më 1999. Në këtë kohë fillon rithemelimi dhe reformimi i institucioneve arsimore, fillimisht nën mbikëqyrjen e komunitetit ndërkombëtar.


Lista e pronarëve të shtëpi shkollave

A

Më shumë

S

Më shumë