Ekipi i SpaceSyntaKs, në maj të këtij viti, në Prishtinë, ka filluar procesin për identifikimin dhe dokumentimin e vendndodhjeve të ‘shtëpive-shkolla’, që të krijoj hartën digjitale të hapësirave që i kanë shërbyer organizimit dhe zhvillimit të mësimit në sistemin shtëpi-shkollë përgjatë viteve të 90-ta në Kosovë.
Ne e kemi zgjedhur hartën si mjetin kryesor për organizimin dhe komunikimin e të gjeturave mbi procesin e mësimit në ‘shtëpi-shkolla’, së pari për ta ilustruar shtrirjen hapësirore dhe së dyti për t’i dhënë mundësi edhe dokumentimit të hapësirave fizike të cilat janë shkatërruar.
Në të njejtën kohë, kemi filluar punën për dokumentimin e kujtesës kolektive për këtë ngjarje përmes bisedave me persona që kanë qenë të përfshirë në procesin e mësimit në ‘shtëpi-shkolla’. Këto biseda do të prezantohen ne platformë në formë të tregimeve.
Për përfshirjen e sa më shumë zërave në ndërtimin e narrativës historike të kësaj ngjarje, kjo platformë është menduar të shërbejë si ftesë për mbledhjen e tregimeve, fotografive, dokumenteve apo kujtimeve të të gjithë atyreve të cilët duan të bëhen pjesë e dokumentimit të historisë së procesit të mësimit paralel në ‘shtëpitë-shkolla’ në Kosovë.
Ne e kemi zgjedhur hartën si mjet kryesor për ta risjellë historinë e mësimit paralel në ‘shtëpi-shkolla’. Përmes hartës duam ta veçojmë njërën prej karakteristikave më të veçanta të këtij tregimi që është organizimi i qytetarëve për t’i shndërruar hapësirat e shtëpive të tyre në klasa shkollore.
Harta interaktive e prezantuar në këtë faqe përmban koordinatat gjeografike të ndërtesave të cilat ishin shndërruar në ‘shtëpi-shkolla’. Për secilën ‘shtëpi-shkollë’ si informacion identifikues është vendosur emri i pronarit së shtëpisë dhe emri i shkollës, aktiviteti i së cilës ishte zhvilluar në atë hapësirë.
Për identifikimin e ndërtesave të ‘shtëpive-shkolla’ në terren, si literaturë bazë është shfrytëzuar libri “Shtëpitë Shkolla në Fotografi” i Zijadin Gashit. Gjatë vizitave në terren është bërë vlerësimi i gjendjes së tanishme të shtëpive dhe regjistrimi i koordinatave gjeografike. Harta është krijuar përmes GIS (Geographic Information System).
Për dokumentimin e kujtesës kolektive për këtë ngjarje kemi filluar shkrimin e tregimeve prej të dhënave nga intervistat me persona të cilët kanë qenë të përfshirë në procesin e sistemit të edukimit në ‘shtëpi-shkolla’. Këto tregime janë menduar t’i shërbejnë ilustrimit sa më gjithëpërfshirës të ngjarjeve prej perspektivës së pjesëmarrësve si organizatorëve të saj, mësimdhënësëve, punonjësëve të administratës, studentëve apo nxënësve, pronar të shtëpive, persona që kanë ndihmuar me logjistikë si dhe të gjithë atyre të cilët e mundësuan zhvillimin e mësimit në rrethana të jashtëzakonshme.
Ekipi i SpaceSyntaKs Gresa Neziri
|
Kontribues
|
Ekipi i GeoTaggers 01 Altin Boshnjaku
|
Brandi dhe dizajni i ueb faqes: Trembelat
Zhvillimi i uebfaqes: SAP