Tregimi i Feti Dashit

  • Zyra e LASH dhe Këshillit Komunal të Arsimit

  • Gëzim Bejtullahu

Më 28 Gusht 1990, është mbajtur njëra prej mbledhjeve më të rëndësishme që organizoi Enti Pedagogjik i Gjakovës sipas Fetiut, aty iu shpërndanë planprogramet mësimore të Kosovës drejtorëve të shkollave të mesme, “ ua kemi kumtuar vendimin që të mos punojnë me planprogramet e reja të Serbisë, por me ato që i ka përgatitë Enti pedagogjik i Kosovës”.

Refuzimi i planprogramit nga Fetiu dhe udhëheqësit e arsimit në Gjakovë u diskutua përgjatë shumë takimeve dhe përbënte një përpjekje të organizuar disa-mujore që me ngulm kërkonte të punohej me planprograme në gjuhën shqipe dhe të mos pranohej gjuha serbe si gjuhë jo amtare për nxënësit shqiptar. I gjithë ky organizim ishte i koordinuar me Entin Pedagogjik Qendror që organizohej poashtu në Prishtinë.

Autoritetet serbe ndalën financimin e Entit pedagogjik dhe të shkollave të mesme në Janar të vitit ‘91 e pastaj edhe shkollave fillore në prill të atij viti. Më 25 shtator, ata  larguan Entin pedagogjik të Gjakovës nga zyret e tyre, duke i detyruar që të gjithë veprimtarinë e tyre t’a kryejnë në dyqane dhe kafene. Për shkak se autoritetet serbe pamundësuan veprimtarinë e tyre përfaqësuesit e entit në Gjakovë] u ristrukturuan në Lidhjen e arsimtarëve shqiptarë (LASH) - dega Gjakovë. Në këtë nëndegë, Fetiu i drejtoi të gjitha punët e përgjegjësitë që ndodhnin në arsim prej vitit 1991 deri 1995.  

Krahas dëbimit të arsimtarëve, me dhunë u dëbuan edhe nxënësit prej shkollave.  Nxënës e struktura të arsimit, mbajtën shumë protesta të cilave pushteti serb ju përgjigj me ndërprerje, kërcënime, dhunë e shumë pengesa. ërfundimisht u bë e qartë se nuk do të lejohej mësimi shqip në ndërtesat e shkolla, kur u dëbuan 4000 nxënës nga shkollat e mesme të Komunës së Gjakovës. 

Pas  shumë mbledhjeve e takimeve për zhvendosjen e mësimit të pavarur,  u shqyrtua mundësia që shkollat të zhvillojnë mësimet nëpër shtëpi private e objekte të kultit. Më 30 gusht, 1991, u  hartua plani për zhvillimin e mësimit të vitit shkollor 91/92 n.  Ky vit shkollor për shkollat e mesme filloi më 20 janar të vitit 1992, ndërtesa të shkollave fillore, në mejtepe, xhami, teqe, dyqane e shumë shtëpi private, duke shënuar kështu fillimin e periudhës së mësimit të pavarur në shqip. Orët e mësimit janë mbajtur nga 30 minuta duke mos përfshirë  lëndët e shkathtësisë, si arti, muzika e edukimi fizik. 

Fetiu tregon se si është dashur të gjinden taktika të ndryshme që mësimi i pavarur të vazhdonte sepse vazhdimisht përcillej me bastisje, dënime e dhunë. Një ndër këto taktika ishte ndërrimi i shtëpive apo objekteve të mësimit nga nxënësit për çdo muaj, në mënyrë që të mos hetohen gjurmët e mësimit. Përpos kësaj, ai tregon për frikën e vazhdueshme dhe përcjelljen që i’a bënte objekteve të mësimit që gjindeshin në qendër dhe mund të binin në sy.

Tetorin e vitit ‘92, ai e konsideron si shkëputjen përfundimtare të arsimit të komunës së Gjakovës nga vendimet zyrtare të Serbisë, në c’periudhë rezistenca paqësore dhe organizimi i mësimit të pavarur mundësoi vazhdimin e arsimit në gjuhën shqip, anipse në kushte të jashtëzakonshme.

Fetiu thekson se rezistenca e tyre nuk ka qenë fare e lehtë duke kujtuar  se si autoritetet serbe janë hakmarrë për rezistencën e tyre duke ngritur disa herë aktakuza ndaj atij dhe udhëheqësve të tjerë të arsimit.  Ai nuk donte te fliste për dhunën policore dhe kohën që e kishte kaluar në pranga, por Fetiu ishte burgosur dhe keqtrajtuar nga policia për rezistencën e tij ndaj autoriteteve Serbe. 

Për Fetiun veçantia e shtëpive-shkollave të viteve të 90-ta nuk ishte mbajtja e mësimit në shtëpi, meqenëse  edhe pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, është mbajtë mësimi në shtëpi në mungesë të objekteve shkollore, por që përgjatë viteve 90-të anipse objektet shkollore kanë ekzistuar ka qenë e ndaluar prej autoriteve serbe që të mbahet mësimi në to dhe të mësuarit në shtëpi shkolla kësaj radhe isht akt rezistence.

Fetiu me një shprehje gëzimi gjatë bisedës sonë, tregon se si kjo që po e bëjmë ne tani të lirë  dhe pa pasoja, pra të flasim për arsimin në gjuhën shqipe apo thjeshtë të flasim shqip, në kohën kur bëhej organizimi i shtëpive-shkolla ishte akt i rezistencës. "Ishte sfidë e madhe, por edhe detyrë e shenjtë," përfundon ai. ‘Na ka majt ideali, ideali që bëhet ma mirë. “Bac u kry” a e din? Bac nuk u kry. Nuk u kry krejt po është ma mirë se në atë kohë.’


Feti Dashi, kishte këto role karshi arsimit në Kosovë, profesor i kimisë, drejtor i Entit Pedagjogjik të Gjakovës prej vitit ‘76 deri më ‘82, kryetar i nëndegës në Gjakovë të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar “Naim Frashëri”, drejtor i arsimit si dhe zyrtar i lartë MASHT-it. Për organizimin e mësimit të pavarur gjatë të 90-tave në komunën e Gjakovës, Fetiu dhe përfaqësuesit e tjerë të arsimit përmes organizatës së tyre “Veteranët e Arsimit” kanë botuar një libër me të dhëna të detajuara rreth veprimtarisë së asaj kohe dhe solidaritetin kolektiv ndaj shtypjes: Arsimi në Komunën e Gjakovës (1990-2000). OJQ “7 MARSI”. (2016) 

Libri: https://drive.google.com/file/d/1Lf_jlZhazGmEEuX6BIbl6vrWC8vyWuIi/view?usp=drive_link