Tregimi i Venera Goxhës, studente e arkitekturës

  • Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe i Arkitekturës

  • Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe i Arkitekturës

Venera ishte studente e arkitekturës gjatë fundit të viteve 80. Ishte duke kaluar nëpër problemet e streset e fakultetit në të njëjtën kohë që po shihte tek shpalosej një situatë e rëndë politike. Duke treguar historinë e saj, vërehet se si kujtimet i kthejnë drithërima në trup. Ishin kohë të vështira që ngjallnin frikë e pasiguri. Por edhe kushtet më ekstreme pas një kohe kthehen në përditshmëri. Vetë Venera çuditet se si mund të kishin jetuar në kushte të tilla apo t’i kishin pranuar këto rrethana, gjen vetëm moshën dhe mospërvojën si shkas.

Studentët, disa herë ishin nxjerrë me dhunë nga konviktet prej forcave policore. Aq herë kishin ndodhur këto raste saqë atyre u ishte kthyer në një ngjarje të zakonshme. Dilnin jashtë, prisnin të qetësohej situata e ktheheshin sërish të nesërrmen të zinin vendet e tyre. Ishin mësuar me gazin lotësjellës, me sirenat e policisë dhe me sulmet e tyre. Ngulnin këmbe të vazhdonin me të drejtat e tyre e shpërfillnin gjithë atë dhunë të tepruar.

Atë ditë që studentët u nxorrën përfundimisht nga konviktet, kishte pasur shumë lajme e njoftime mbi atë që po ndodhte. Ishin organizuar shumë qytetarë që t’i dilnin në ndihmë rinisë. Por studentët nuk ishin të gjithë të vetëdijshëm mbi atë që po ndodhte. Venera ndodhej në katet e sipërme së bashku me shoqet e saj dhe nuk e kuptonin gjithmonë mire se ç’po ngjante në katet e poshtme. Nuk merrnin lajmërime zyrtare por ishte zakonisht zonja e mirëmbajtjes që i jepte disa lajme apo thashetheme që po fliteshin. Atë mëngjes i kishte paralajmëruar t’i mblidhnin gjërat që të dilnin por kjo dukej ngjarje e pabesueshme studentëve.

Tani kur kthehet prapa, duket se nuk e njeh veten e asaj kohe. Përderisa policia hidhte gazin lotësjellës dhe ndeshej me turrmën në oborr dhe në katet e poshtme, por sulmet dhe dhuna ishin bërë aq të zakonshme sa Venera me shoqet shikonin ngjarjet nga ballkoni dhe hanin ushqim. Jashtë ishte rrezik por konvikti ishte shtëpia e tyre dhe u jepte iluzionin e sigurisë. 

Këtë herë ishte ndryshe. Kishin dalë njerëz të tjerë në ndihmë e të gjithe studentët po gjenin mënyra si të merrnin sa më shpejtë të gjithë gjërat e tyre. Në mesin e gjithë këtyre ngjarjeve shoqet panë studentët e konviktit përballë që kishin lidhur pëlhura të ndryshme për të krijuar rrugë alternative për të zbritur nga dritaret e dhomave në katet e sipërme, atëherë edhe ato u alarmuan, mblodhën gjithë ç’mundën dhe braktisën dhomat e tyre.

E në vrrullin e gjithë asaj rrëmuje, Venera vetëm se bëhej shumë e më shumë konfuze. Nuk arrinte ta kuptonte rrezikun e vërtetë që u ishte kanosur. Të gjithë njerëzit përreth ishin me lot në sy, perqafonin studentët, mundoheshin t’i ndihmonin. Kurse studentët me gjithë efektet e shokut nuk mund të kuptonin se çka ishte duke ndodhur, pse ishin gjithë ata njerëz aty duke i ngushëlluar. Herave të tjera vetëm se kishin pritur të qetësohej situata e të ktheheshin. 

Kësaj rradhe të gjithë studentët u mblodhën në fakultetin teknik të Universitetit të Prishtinës për tu regjistruar në lista të gjata në mënyrë që të organizoheshin që t’i siguronin secilit një strehim. Qytetarët zemërmirë ishin mbledhur për të ofruar ndonjë hapësirë të shtëpive të tyre private për studentët e qyteteve të tjera. Por Venera nuk mund të perceptonte mirë vrazhdësinë e situatës. Nuk kuptonte pse ishin mbledhur gjithë ata njerëz dhe nuk kuptonte pse të gjithë qanin dhe e përqafonin. 

Mundohet të gjejë fjalët e duhura për të përshkruar sa më mirë ato ndjenja të çuditshme por e ka mjaft të vështirë. Thotë se ndjente një frikë që e përcillte ngado, një ndjenjë që dicka e keqe do të ndodhte, por në të njëjtën kohë nuk kishte dicka specifike kujt mund t’ia atribuonte atë frike. Ndjente dhembje në pjesë të ndryshme të trupit e nuk mund ta kuptonte arsyen.

Një semestër kishin pauzuar për të vazhduar mësimin dhe jetesën në shtëpi private. Ishte vendosur të jetonte me një familje shumë mikëpritëse që i ishin munduar shumë ta kuptonin si ndihej dhe ta bënin të ndihej si në shtëpi të saj. Ndërsa për shkollim shkonte në dy objektë të tjera private. Një shtëpi dhe një garazhë ishte për ligjerata ndërsa për ushtrime shkonin në një tjetër shtëpi në anën tjetër të qytetit. Shumë shpesh shoqëroheshin nga profesorët sepse nuk arrinin as të gjenin rrugën nëpër rrugicat e ngushta të lagjeve që ngjanin me labirinte pa dalje. 

As në shtëpitë private nuk gjetën qetësi. brenda 2 muajsh, dy herë u kishte hyrë policia dhe i kishte shpërndarë studentët. Pas këtyre shqetësimeve, megjithëse i kishte mbetur vetëm viti i fundit, Venera braktisi universitetin për disa vite. Ngjarjet dhe presioni po ashpërsoheshin çdo ditë, e jeta studentore u bë shumë e rrezishkme. I kishte lindur një lloj neverie, ishte shkëputur nga gjithë ai ambient dhe i kishte dhuruar të gjithë librat e mjetet e punës. U kthye tek familja e saj në Prizren dhe kishte vendosur se nuk do të vazhdonte më.

Ankthi dhe stresi i vazhdueshëm kishin lënë pasojat e veta. Kjo frikë e kishte përcjellë në heshtje edhe për shumë vite të tjera. Thotë se për vite të tëra pas, shpërthente në vaj pa e ditur as vet shkakun. Në shikim të parë dukesihn të gjithë në rregull, dilnin në qytet, vazhdonin jetën, por nga mbrenda nuk gjenin qetësi, mjaftonte ngacmimi më i vogël t’i zgjonte gjithë ndjenjat e këqija.

Por në vitin 97 ajo u kthye prap në Prishtinë e vendosur të përfundojë pjesën e mbetur të shkollimit, pas 7 vitesh shkëputje. Kushtet në ‘shtëpitë-shkolla’ kësaj rradhe ishin më të mira, kishte banka e ulëse. Ndoqi pjesën e mbetur të ligjëratave dhe hyri në provimet e fundit e shoqërar nga ushtimat e shpërthimeve nëpër Kosovë, por arriti t’i përfundojë të gjitha. Me gjithë vështirësitë e kaluara më vonë përfundoi edhe master e doktoratë e tani është vetë profesoreshë e arkitekturës.