Tregimi i Halim Hysenit, ideatori i shtëpive-shkolla

  • Enti Pedagogjik i Republikës së Kosovës dhe Pleqësia e Arsimit

  • Shkolla fillore "Emin Duraku"
  • Enti Pedagogjik Ndërkomunal i Prishtinës

  • Shkolla fillore "Emin Duraku"
  • Gjimnazi "Sami Frashëri"

  • Shkolla fillore "Emin Duraku"
  • Këshilli për Shëndetësi i Komunës së Prishtinës

  • Shkolla fillore "Emin Duraku"
  • Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë "Naim Frashëri"

  • Shkolla fillore "Emin Duraku"
  • Sekretariati-Këshilli i Arsimit të Komunës së Prishtinës

  • Shkolla fillore "Emin Duraku"
  • Shkolla e mesme e mjekësisë "Dr. Ali Sokoli"

  • Shkolla fillore "Emin Duraku"
  • Shkolla fillore "Faik Konica"

  • Shkolla fillore "Emin Duraku"
  • Shkolla fillore "Emin Duraku"

  • Shkolla fillore "Emin Duraku"

Halim Hyseni lindi në vitin 1944 në Kapit të Medvegjës. Puna e tij për arsimin në Kosovë nisi si mësimdhënës në fshatin e tij, ndërsa gjatë viteve ’90 ishte njëri prej personave që dizajnoi modelin për organizimin dhe zhvillimin e mësimit në ‘shtëpi-shkolla’.

Halimi i përfundoi studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, si dhe Pedagogji, në Universitetin e Prishtinës. Ai kujton me detaje ditën kur, për të ndjekur provimin pranues, kishte ecur më këmbë nga fshati i tij deri në qytet për të nisur studimet në Universitetin e Prishtinës. Megjithë kushtet e vështira dhe sfidat që kishte përballuar, ai e kujton me nostalgji kohën kur ndiqte Shkollën Normale. Por, siç thekson ai, nën regjimin e Rankoviqit, jeta ishte tejet e vështirë për të dhe për gjithë shqiptarët në Kosovë.

Halimi ishte nxënës i shkëlqyer. Njohja e gjuhës serbe ia bëri më të lehtë përballjen me sfidat e shkollimit. Ai tregon me krenari për punën e mirë që bënte kur shkruante hartimet shkollore. Hartimet e Halimit shpërndaheshin dhe lexoheshin nga të gjithë!

Pas përfundimit të shkollës së mesme, Halimi u kthye në fshatin e tij, Kapit, për të dhënë mësim. Ai kujton se si, në atë kohë, mësimi zhvillohej në gjuhën serbo-kroate, edhe pse të gjithë nxënësit ishin shqiptarë. Një nga ngjarjet që e kujton me krenari ishte momenti kur filloi të jepte mësim në shqip pas largimit të Rankoviqit.

Pasi përfundoi shërbimin ushtarak, Halimi kreu dy vite në Shkollën Normale dhe më pas u bë pedagogu i parë në shkollën ‘Nikolla Teslla’ në Ferizaj. Karriera e tij vazhdoi në Entin Pedagogjik të Ferizajt dhe më pas në Entin Pedagogjik të Prishtinës, ku u transferua në vitin 1975. Në vitin 1987, u emërua Drejtor i Entit Pedagogjik. "Kur mbërrita në Ent, Rexhep Osmani ishte përjashtuar," tregon Halimi, duke shtuar se Serbia kishte propozuar një sistem dygjuhësor për shkollat.

Kjo u refuzua kategorikisht nga shqiptarët, të cilët këmbëngulnin që planet dhe programet mësimore të hartoheshin nga vetë shqiptarët, siç ishte në pajtim me ligjet në fuqi të kohës. Një ditë më pas, Halimi kishte kthyer Rexhepin në punë dhe kishte shpërndarë pagesat ashtu siç kishin qenë të planifikuara.

Përderisa komuniteti shqiptar u mobilizua për hartimin e planeve dhe programeve mësimore, situata politike përkeqësohej me shpejtësi, duke rezultuar, ndër të tjera, në mbylljen graduale të shkollave. Halimi tregon se si bëri thirrje në Kuvend që të zbatoheshin planet dhe programet e hartuara, si dhe të vazhdohej mësimi pavarësisht pengesave.

Halimi luajti një rol kyç në çdo komponent që mundësoi zhvillimin e arsimit shqip gjatë viteve ’90, përfshirë edhe themelimin e LASH-it. Ai kujton se si propozoi krijimin e një shoqate të pavarur për mësimdhënësit shqiptarë, si një masë mbrojtëse në rast të ndalimit të punës. Kështu, LASH-i u bë një organizatë që funksionoi jo vetëm në Kosovë, por edhe në çdo vend ku kishte mësimdhënës shqiptarë.

Për Halimin, organizimi i mësimit në shtëpi-shkolla, që shpëtoi 430,000 nxënës dhe studentë nga humbja e një viti shkollor, është një nga arritjet për të cilat ai krenohet më së shumti në jetë. Ai thekson se, po të përsëritej ai vit, organizimi i mësimit në gjuhën shqipe do të ishte bërë i pamundur, duke i dhënë fund gjithçkaje.

Halimi kujton momentin kur prezantoi idenë e organizimit të mësimit në shtëpi-shkolla gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së LDK-së. Ai përshkruan me humor reagimet e mosbesimit dhe cinizmit të disa prej të pranishmëve, të cilët thoshin: "Kush është ky i marrë që mendon se mësimi mund të zhvillohet në shtëpi?"

Në zyrat e LASH-it, gjatë një mbledhjeje që Halimi thirri në kushte emergjente, diskutimet zgjatën për më shumë se tre orë pa arritur në asnjë rezultat konkret. I vendosur që takimi të mos përfundonte pa një plan, Halimi insistoi se ishte e domosdoshme të ndërmerrej një hap i qartë. Në fund, të pranishmit, përfshirë Pajazit Nushin dhe Burhan Kavajën, u pajtuan që secili të hartonte koncept-letra si bazë për një plan veprimi.

Ai kujton se ishte i bindur se arsimi duhej të vazhdonte, pavarësisht pengesave. "Ndalimi nuk ishte alternativë," thotë ai, duke kujtuar atmosferën e tensionuar të asaj periudhe dhe vendosmërinë që e udhëhiqte. Në Entin Pedagogjik, së bashku me Bajram Shatrin dhe kolegët e tjerë, ata nisën të hartonin plane konkrete, duke besuar se organizimi i një sistemi paralel ishte i vetmi rrugëtim i mundshëm.

"Më lindi ideja dhe e shkrova," rrëfen ai, duke theksuar se sfida nuk ishte vetëm ideja, por edhe zbatimi në terren. Kështu lindën "variantet," që përcaktuan mënyrën se si do të funksiononte arsimi gjatë viteve ’90. Varianti C, i menduar për shkollat e mesme, u adaptua gjithashtu për Universitetin e Prishtinës. Ai kujton se, plan-programet për vitin shkollor 1990-91 ishin hartuar  brenda vetëm dy muajve.

Takoheshim shumë shpesh, ndërsa vizitat në shkolla realizoheshin me rigorozitet. Halimi shpjegon se sfida më e madhe e asaj kohe ishin financat, por kjo nuk e zbehu aspak përkushtimin e mësimdhënësve dhe nxënësve për të vazhduar punën.

Bëmë të gjitha përpjekjet për të mbajtur standardet akademike në arsimin shqip, pavarësisht mungesës së burimeve dhe kushteve të pamjaftueshme infrastrukturore. Arsimtarët organizonin rregullisht teste dhe vlerësime, për të siguruar vazhdimësinë e cilësisë në arsim. Halimi kujton se shumë nga arsimtarët e asaj kohe përballeshin me sfida të mëdha, përfshirë mungesën e kushteve bazë për punë dhe pagesat e parregullta. Megjithatë, ata zhvillonin mësimin me mjete të thjeshta, shpeshherë duke i vendosur librat në dysheme ose në shilte. Ai e vlerëson përkushtimin e tyre si shtyllën kryesore që mundësoi mbijetesën e arsimit shqip.

Halimi punoi për organizimin dhe mbarvajtjen e mësimit në shtëpi-shkolla deri në fund të viteve ’90. Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, ai vazhdoi të kontribuonte në arsimin e Kosovës, duke qenë pjesë e hartimit dhe implementimit të reformave të rëndësishme. Për të, dekada e viteve ’90 ishte një periudhë e mbushur me sfida të jashtëzakonshme, tejet e vështirë, por njëkohësisht një nga periudhat më domethënëse të jetës së tij.


Shkrimtare e tregimit: Adea Batusha