Tregimi i Fetah Bylykbashit, drejtor i Entit Pedagogjik në Prishtinë dhe kryetar i Këshillit Organizativ në protestat e 12 dhe 13 tetorit 1992

  • Enti Pedagogjik ndërkomunal i Prishtinës

  • Enti Pedagogjik ndërkomunal i Prishtinës

Fetahu e filloi karrierën e tij në arsim si mësues në shkollën e Shipitullës, ku punoi për tetë vite. Në vitin 1970, ai nisi punën si përkthyes në Fakultetin Juridik, ku qëndroi për pesë vite. Më pas, në vitin 1976, ai filloi detyrën si pedagog. Në vitin 1979, u emërua Drejtor i Entit Pedagogjik në Prishtinë, pozitë që mbajti deri në vitin 1999. Paralelisht, ai shërbeu si sekretar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH).

Së bashku me Halim Hysenin, i cili ishte Drejtor i Entit Pedagogjik në nivelin e Kosovës, Fetahu ishte plotësisht i përkushtuar në mbështetjen e arsimit në gjuhën shqipe. Ai rrëfen se nuk refuzonte asnjë detyrë që shërbente në interes të arsimit. Gjatë viteve 1991-1992, ai gjithashtu kontribuoi në Këshillin për Financim, ku shërbeu si këshilltar, duke ndihmuar në sigurimin e burimeve financiare.

Në vitin 1995, regjimi serb vendosi të mbyllte Entin Pedagogjik, një veprim që ishte pjesë e fushatës për mbylljen e institucioneve publike në Kosovë. Fetahu dhe Halim Hyseni e kundërshtuan këtë vendim me ngulm. Për të vazhduar punën jashtë institucioneve, ata u detyruan të krijonin një formë të re organizimi përmes drejtorive komunale të arsimit. Përkohësisht, për të mbajtur mbledhjet e rregullta të Entit Pedagogjik, ata shfrytëzonin zyrën e Institutit Albanologjik, që, siç kujton Fetahu, ua kishte ofruar Drejtori i atëhershëm, Sadri Fetiu. Gjatë kësaj periudhe, Fetahu i vizitonte shkollat rregullisht, ndonëse ishte vazhdimisht nën mbikëqyrjen e policisë. Ndjekja nga policia ishte shumë e shpeshtë, dhe po ashtu, ai përballej shpesh me interogime policore.

Këshilli për Organizimin e Protestave u themelua në vitin 1992 si kundërpërgjigje ndaj rritjes së presionit nga autoritetet serbe. Fetahu u emërua Kryetar i Këshillit. Protestat më të mëdha, që përfshinë 7 qendrat kryesore të Kosovës, ndodhën më 12 dhe 13 tetor. Sipas Fetahut, këto protesta kishin qëllime përtej hapjes së shkollave. “Nuk kërkohej vetëm mbrojtja e arsimit, por edhe e drejta për institucione të pavarura. Kosova kërkonte shkollat e saj të drejtuara nga ligjet e saj, pa shtypje dhe me të drejta të barabarta për të gjithë,” thotë ai.

Ai përshkruante në detaje procesin e organizimit të protestave, të cilat, sipas tij, kishin nisur me vendimin e Dr. Ibrahim Rugovës. Protestat organizoheshin me shumë kujdes, duke marrë parasysh rreziqet e mundshme nga autoritetet e dhunshme serbe. Gjithnjë përgatitej skenari më i rëndë. Për këtë arsye, para çdo proteste emërohej një person zëvendësues për rolet organizative, që të ishte i gatshëm të vazhdonte punën në rast të lëndimit apo arrestimit të personave me role kyçe. Kjo masë sigurohej për të garantuar vazhdimësinë e protestave.

“Mblidheshim tri herë në ditë në shtëpinë e Prof. Ali Hadrit,” kujton Fetahu. Kushti kryesor ishte që protestat të ishin plotësisht paqësore, pa asnjë kompromis. Me krenari tregon se të gjithë organizatorët dhe pjesëmarrësit i qëndruan besnikë këtij parimi. “Ishim të disiplinuar,” pohonte ai, duke theksuar rëndësinë e organizimit dhe përkushtimit në çdo detaj.

Ai e kujton ditën e parë të protestës me shumë qartësi. Ishte data 12 tetor 1992. Në orën 12:00, protestuesit nisën të grumbulloheshin te Fakulteti Filologjik. Vinin nga të gjitha institucionet e uzurpuara, ndërsa oborri mbushej plotësisht. Pankartat ngriheshin lart, duke shpërfaqur qartë kërkesat e tyre. Fetahu kujton momentin kur vuri re Adem Demaçin në mesin e turmës. “Prania e tij na dha një kurajë të jashtëzakonshme dhe ndihmoi në koordinimin për tejkalimin e rrethimit policor, veçanërisht te rektorati,” thotë Fetahu.

Në orën 12:30, protestuesit ishin gati për të nisur marshutën e planifikuar. Rruga fillonte nga Fakulteti Filologjik, kalonte nëpër sheshin kryesor dhe përfundonte te Teatri Kombëtar. Çdo hap ishte menduar me kujdes për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur përplasjet me policinë. Atmosfera ishte e tensionuar, por organizatorët ishin të përgatitur për çdo situatë që mund të lindte.

Gjatë orës së parë të protestës, Fetahu u thirr nga policia, e cila kërkonte që ai të shpërndante protestuesit. Përgjigja e tij ishte e prerë: “Ju keni punën tuaj, dhe ne punën tonë.” Policia e kërcënoi disa herë, por protestuesit qëndruan të qetë. Ky rezultat nuk ishte rastësi – ishte fryt i planifikimit të kujdesshëm dhe mbledhjeve të përditshme, të cilat organizoheshin deri në nivel lagjesh, sipas Fetahut. Kjo disiplinë dhe organizim i detajuar ishin arsyet pse nuk pati incidente nga ana e demonstruesve. Protestat u mbajtën njëkohësisht në qendrat kryesore të Kosovës: Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj.

Më 13 tetor, protesta vazhdoi përpara institucioneve të uzurpuara nga regjimi serb. Udhëheqësit e institucioneve kishin detyrë të lexonin deklaratat dhe t’ua dorëzonin autoriteteve serbe kërkesat për lirimin e objekteve shkollore.

Fetahu vlerëson se në protestat e 12 dhe 13 tetorit 1992 morën pjesë rreth 600,000 qytetarë nga e gjithë Kosova. Ky organizim ishte vendimtar për mbijetesën e arsimit në gjuhën shqipe. Sipas tij, po të mos ndodhnin këto protesta, sistemi arsimor do të rrezikohej të ndalej plotësisht. “Nëse shkollat do të mbylleshin krejtësisht, Kosova do të zbrazej,” deklaroi ai me bindje të plotë. Protestat ishin një dëshmi e vendosmërisë së popullit për të vazhduar mësimin, pavarësisht represionit dhe rreziqeve të mëdha.

Edhe pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Fetahu vazhdoi të japë një kontribut të rëndësishëm në fushën e arsimit në Kosovë. Në vitin 2002, ai u emërua Shef i Arsimit Parafillor, duke luajtur një rol kyç në rindërtimin dhe përmirësimin e sistemit arsimor. Për përkushtimin dhe punën e tij të palodhur, ai ka marrë mirënjohje të shumta nga institucione dhe organizata të ndryshme. Megjithatë, për të, dekada e mësimit në shtëpi-shkolla mbetet ndër momentet më domethënëse dhe të paharrueshme të veprimtarisë së tij.


Shkrimtare e tregimit: Adea Batusha