Tregimi i Eufrozina Nurës, profesoreshës së kimisë e cila ka dhënë mësim në shtëpinë shkollë të Herticëve nga viti 1992-1998
Gjimnazi "Sami Frashëri" Mehmet AliuTregimi i Zijadin Gashit, kryetar i Këshillit të Arsimit të Komunës së Prishtinës nga viti 1990 deri 1999
Gjimnazi "Xhevdet Doda" Zijadin GashiTregimi i Nerimane Kamberit, profesoreshë e frëngjishtes, shkrimtare dhe poete
Fakulteti i Filologjisë Bajram BajramiMuhamet Bicaj, i lindur në fshatin Vrellë të Istogut, përfundoi shkollën fillore në vendlindje. Studimet e mëtejshme i vijoi në Shkollën Normale të Prishtinës. Ai ka diplomuar në degën e kimisë me një përkushtim të thellë ndaj shkencës dhe arsimit.
Në fillim të karrierës së tij profesionale, Muhameti punoi si shef i laboratorëve në Therandë. Më vonë, në vitin 1972, u angazhua si asistent në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe ishte një nga themeluesit e këtij fakulteti. Studimet pasuniversitare i përfundoi në Universitetin e Zagrebit, ndërsa doktoraturën e mbrojti në vitin 1984.
Në periudhën 1983-1986, Muhameti u zgjodh Prorektor i Universitetit të Prishtinës. Roli i tij nuk ishte thjesht një detyrë zyrtare; ai punoi intensivisht për themelimin e degëve të reja që do të përmbushnin nevojat e studentëve dhe kërkesat e kohës, duke kontribuar në diversifikimin dhe përparimin e arsimit të lartë në Kosovë.
Fillimi i asaj dekade shënoi një përkeqësim të ndjeshëm të situatës politike në Kosovë, veçanërisht në fushën e arsimit, ku të drejtat e shqiptarëve filluan të kufizoheshin me shpejtësi. Muhameti kujton me detaje një konferencë të rëndësishme për planprogramet shkollore, ku qëndrimi i tij ishte i palëkundur kundër propozimeve të Serbisë. Ai votoi për planet e Kroacisë dhe Sllovenisë, duke refuzuar kategorikisht ato të Serbisë. Me një zë të qartë dhe të sigurt, ai deklaroi: “Asnjë plan dhe program i bërë në Beograd, pa pjesëmarrjen e ekspertëve tanë nga Kosova, nuk do të përdoret kurrë.”
Gjatë asaj periudhe të tensionuar, bashkëpunëtori më i ngushtë i Muhametit ishte Halim Hyseni, Drejtor i Entit Pedagogjik në nivelin e Kosovës. “Mbaj mend momentet kur, për të shmangur imponimet serbe, fshehëm planet arsimore të dërguara nga Serbia në një bodrum të errët,” rrëfen Muhameti me emocion. Ishte një hapësirë e vogël, e mbushur me libra dhe dokumente, ku vetëm ata të dy kishin qasje. “Nuk i lexonim si për t’i përdorur, por për t’i refuzuar,” kujton ai. Aty, mes rafteve dhe heshtjes së bodrumit, nisnin bisedat e tyre për të mbrojtur arsimin shqiptar dhe për të gjetur mënyra për të qëndruar të palëkundur përballë presionit.
Pas disa ditësh nga konfrontimi në konferencë, Muhameti kujton telefonatën që mori nga Stjepan Mesić. “Mesiqi më informoi se Serbia kishte lëshuar një fletarrest kundër meje,” thotë ai. E prisnin 16 vjet burgim për kundërshtimin e hapur të politikave arsimore serbe. Nuk kishte më kohë për të menduar. Me ndihmën e Mesićit, Muhameti u nis drejt Shkupit, duke lënë pas një situatë tejet të rrezikshme.
I detyruar të largohej nga vendi për shkak të fletarrestimit, Muhameti la pas gjithçka dhe u nis drejt një të ardhmeje të pasigurt. Nga Shkupi, ai shkoi në Lubjanë, ku gjeti strehim të përkohshëm. Nuk qëndroi gjatë dhe më pas mori rrugën për në Kroaci. Së fundmi, arriti në Gjermani, ku më në fund u sistemua deri në përfundimin e luftës në Kosovë. Pavarësisht largësisë dhe ekzilit, ai qëndroi i përqendruar te detyra e tij. Pikërisht gjatë kësaj kohe, ai u kontaktua nga Dr. Ibrahim Rugova, i cili i kumtoi lajmin se e kishte emëruar Ministër të Arsimit, duke e vlerësuar kontributin e tij të palodhur për arsimin shqiptar edhe në kushte të vështira jashtë vendit.
Edhe nga largësia, si ministër, punoi ngushtë me Halim Hysenin për të siguruar vazhdimësinë e mësimit në gjuhën shqipe në Kosovë në shtëpi-shkolla. Takimet e rregullta koordinuese zhvilloheshin kryesisht në Kroaci, ku Halimi dhe kolegët e tjerë vinin për të diskutuar përgjegjësitë dhe sfidat e përditshme.
Ai tregon për një tjetër detyrë që, sipas tij, ishte shumë e rëndësishme, veçanërisht në atë periudhë. Bëhej fjalë për hapjen e shkollave shqipe në vendet perëndimore. Muhameti ishte përgjegjës për themelimin e shkollave në Gjermani, Zvicër, Norvegji, Angli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat u hapën me vulën e Republikës së Kosovës. Ai kujton me krenari takimin e tij me Angela Merkel në Gjermani dhe faktin se shumë nga ato shkolla vazhdojnë të funksionojnë edhe sot. Gjithashtu, luajti një rol kyç në përzgjedhjen e mësimdhënësve për të siguruar cilësinë dhe vazhdimësinë e arsimit shqip në diasporë.
Sipas ish-ministrit, një nga vendimet më të vështira asaj kohe ishte lufta e përditshme për të ruajtur pavarësinë nga Serbia. Kjo luftë ishte drejtpërdrejt e lidhur me procesin e mbajtjes gjallë të mësimit brenda shtëpive-shkolla, të cilat, sipas tij, funksionuan jashtëzakonisht mirë, pavarësisht vështirësive të mëdha.
Muhameti i cili u detyra tw punoj nw ekzil pwr njw kohw tw gjatw u kthye në Kosovë pas përfundimit të luftës në vitin 1999 dhe vazhdoi të japë kontributin e tij në arsim. Si shef i grupit për hartimin e teksteve shkollore, ai luajti një rol të rëndësishëm në rindërtimin e sistemit arsimor, duke ndihmuar në hartimin dhe shpërndarjen e librave në të gjithë Kosovën.
Shkrimtare e tregimit: Adea Batusha