Tregimi i Fazli Hajrizit, mësimdhënës në Gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë

  • Gjimnazi "Frank Bardhi"

  • Hasan Beloshi

Fazli Hajrizi, i lindur në Kotorr, Skenderaj, më 1949, rrjedh nga një familje me 35 anëtarë. Shkollën fillore e përfundoi në Runik. Pavarësisht sfidave, ai arriti të përfundonte arsimin tetëvjeçar atje. Pas kësaj, vazhdoi studimet në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, një fushë për të cilën thotë: “Kisha prirje për letërsi dhe dëshirë për lexim.”

Puna në mësimdhënie për Fazli Hajrizin filloi në Skenderaj, më pas, vijoi në Gjimnazin e Vitisë dhe, në fund, në Gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë. Punës së tij iu shtua domosdoshmërisht komponenti i përpjekjeve për vazhdimin e mësimit në gjuhën shqipe gjatë një periudhe të vështirë.

Deri sa flet për jetën e tij, ai kujton me detaje se sa e vështirë ishte ajo periudhë. Në mesin e viteve ’50, fshati më në fund pati mundësinë të ndërtonte një objekt të thjeshtë shkollor. Para kësaj, mësimi mbahej në oda, shpesh në kushte të rënda dhe pa mjetet e nevojshme. “Ishte e vështirë, por askush nuk hezitonte të vinte në shkollë,” kujton ai, duke theksuar entuziazmin që mbizotëronte mes nxënësve dhe familjeve të tyre.

Ai ndalet për t’i rikujtuar mësimdhënësit e tij, të cilët i shihte si frymëzues: “Shkollimi është e vetmja rrugë që të çon drejt perspektivës, drejt dritës.”  Pavarësisht vështirësive, mbështetja e familjes dhe përkushtimi i mësuesve ishin ato që e shtynë të arsimohej.Babai i tij, një autodidakt që kishte mësuar shkrim dhe lexim vetë, ishte burimi kryesor i frymëzimit për Fazliun që të arsimohej dhe të arrinte më shumë. Ai përmend me mirënjohje edhe nënën, e cila kujdesej për të në çdo aspekt, duke i siguruar mbështetje të vazhdueshme. 

Duke reflektuar mbi kohët e vështira, ai ndalet për të treguar se si periudha e trysnisë serbe për ndryshimin e planprogrameve ishte një pikë kthese jo vetëm për arsimin, por edhe për qëndrueshmërinë e identitetit shqiptar në Kosovë. Autorët shqiptarë hiqeshin nga kurrikula dhe zëvendësoheshin me autorë serbë, një veprim që përbënte një përpjekje të hapur për të zhdukur elementet kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve. “Këto ndryshime nuk u pranuan nga ne,” shpjegon ai, duke nënvizuar se rezistenca filloi nga vetë komuniteti arsimor dhe u përhap në të gjitha shtresat e shoqërisë.

Në vitin 1989, kur Kosovës po i hiqej subjektiviteti, situata arriti kulmin me grevën e minatorëve, e cila u bë vija e kuqe përballë represionit serb. “Minatorët ishin barrikada,” thekson ai.

Teksa situata përkeqësohej në vitin 1991, të gjitha shkollat e mesme u mbyllën plotësisht. Nga shtatori i atij viti deri në shkurt të vitit 1992, Fazliu, së bashku me kolegët e tij, priste me padurim një mundësi që mësimi të mund të vazhdonte. Kjo mundësi u krijua kur filloi të zhvillohej mësimi në shtëpi-shkolla sipas variantit C. 

Në fillim të viteve ’90, “u nda shapi nga sheqeri,” kujton Hajrizi. Objektet e shkollave të mesme filluan të funksiononin vetëm për nxënësit serbë, të cilët ishin të paktë në numër. Dita kur nxënësit shqiptarë u larguan nga shkollat nuk ishte aspak e papritur, pasi paralajmërimet për këtë veprim kishin nisur prej kohësh.

Më 1 shtator 1991, Fazliu dhe kolegët e tij shkuan në shkollë, por policia nuk i lejoi të hynin. Ata provuan disa herë, por çdo përpjekje për të hyrë në objektin shkollor u ndalua me forcë. Në ato momente, të gjithë prisnin udhëzimet nga drejtoritë komunale për të vendosur se çfarë hapash të ndërmerreshin. “Kur pamë që hyrja në shkollën tonë ishte e pamundur, vendosëm të kërkojmë hapësira të tjera ku mund të zhvillonim mësimin,” kujtonte ai.

Përgjigjja erdhi shpejt nga komuniteti. Rreth 40 shtëpi private u vunë në dispozicion për të mbajtur mësimin e shkollave të mesme: tetë shtëpi për gjimnazin, pesë ose gjashtë për shkollën e mjekësisë, dhe të tjera për shkollën ekonomike dhe shkollën e lartë teknike për metalurgji. Ato hapësira u shndërruan në klasa, duke bërë të mundur që mësimi të vazhdonte pavarësisht kushteve të vështira.

Vitet e para dhe të dyta të shkollave të mesme vazhdonin mësimin në objektin e shkollës fillore “Migjeni” dhe “Skënderbeu.” Por shumicën e kohës, mësimi zhvendosej nëpër shtëpi private. Fazliu kujton me respekt dhe mirënjohje emrat e atyre që i hapën dyert për arsimin. “Kurrë nuk do t’i harroj,” thoshte ai për Azem Sylejmanin, në shtëpinë e të cilit filloi mësimi në Tavnik. Pas kësaj, mësimi u zhvendos në shtëpinë e Hasan Beloshit dhe më pas në shtëpinë e Fahri dhe Hysen Aliut. Edhe shtëpia e Nysret Maxherrës, pranë stacionit të autobusëve, u kthye në një klasë të përkohshme.

Koordinimi kryhej në shtëpinë e Azem Sylejmanit, ku drejtori kishte krijuar një zyrë të improvizuar. Aty përgatiteshin dhe publikoheshin oraret, duke informuar mësuesit dhe nxënësit se ku do të zhvillohej mësimi më pas. Ishte e zakonshme që Fazliu dhe shumë kolegë të tij të udhëtonin nga një shtëpi në tjetrën, duke bartur libra dhe materiale mësimore.

“Mësimi ishte i thjeshtë,” kujton ai. Lënda e tij nuk kërkonte shumë mjete për konkretizim, por ata përpiqeshin të krijonin një atmosferë sa më afër një klase normale, duke përdorur shkumës dhe një tabelë të improvizuar. Ndërsa kujtonte këto momente, shprehja e tij ndryshonte kur fliste për nxënësit që mungonin. “Ishte e dhimbshme,” thoshte ai, duke sjellë ndër mend ata që nuk paraqiteshin për ditë të tëra, për t’u kuptuar më vonë se kishin emigruar në Suedi, Zvicër, apo diku tjetër. “Çdo javë numri i tyre vetëm rritej,” shtonte ai, duke reflektuar mbi vështirësitë që përballonte komuniteti ndërsa gjendja vazhdonte të përkeqësohej.

Në vitin 1994, një ngjarje brutale ndodhi në shkollën “Migjeni.” Pas rënies së ziles, brenda pak minutash, e gjithë shkolla u rrethua dhe bllokua nga policia serbe. “Ka qenë një tmerr i vërtetë, na kanë rrahur si shtazë,” kujtonte ai, duke përshkruar dhunën që ndodhi atë ditë.

Policia serbe i çoi mësimdhënësit në katin e tretë të shkollës, ku dhuna ishte e pamëshirshme. Muharrem Peci, një nga mësimdhënësit, pësoi dëmtime të rënda. “U afruam te dritarja për të kuptuar çfarë po ndodhte,” rrëfente ai. Për fat, nxënësit nuk u prekën fizikisht, por dhuna ndaj mësimdhënësve mbeti një moment i rëndë në kujtesën e të gjithë atyre që e përjetuan atë ditë.

Ai kujton me dhimbje ditën e fundit të shtëpive-shkolla në Mitrovicë. Më 13 mars 1999, një granatë ra në treg, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe të plagosur. Pas ngjarjes, Fazliu kontaktoi drejtorin përmes telefonit, duke pritur udhëzime nga drejtoria e arsimit për të kuptuar se si duhej vepruar me mësimin. Pas rreth një ore, erdhi njoftimi: mësimi do të ndërpritej. “Ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë,” thotë ai, duke e përshkruar si fundin e shtëpive-shkolla në Mitrovicë, ndërkohë që situata në qytet po përkeqësohej me shpejtësi.

Për dekadën e arsimit në sistemin e shtëpive-shkolla, Fazliu ka shkruar një monografi për shkollat e mesme në Mitrovicë, duke vazhduar kontributin e tij për arsimin edhe pas luftës dhe pensionimit si mësimdhënës. Ai e kujton atë periudhë si një nga më të rëndat, por edhe një nga më të mobilizuarat në historinë e arsimit shqiptar. Për të, puna në ato vite ishte më shumë se një detyrë—ishte një akt qëndrese dhe shprese për brezat e ardhshëm. Ndërsa reflekton mbi të kaluarën, Fazliu shpreson që të rinjtë, pavarësisht se ku e vazhdojnë shkollimin jashtë vendit, të kthehen dhe të japin kontributin e tyre për të ardhmen e Kosovës.


Shkrimtare e tregimit: Adea Batusha