Tregimi i Eufrozina Nurës, profesoreshës së kimisë e cila ka dhënë mësim në shtëpinë shkollë të Herticëve nga viti 1992-1998
Gjimnazi "Sami Frashëri" Mehmet AliuTregimi i Zijadin Gashit, kryetar i Këshillit të Arsimit të Komunës së Prishtinës nga viti 1990 deri 1999
Gjimnazi "Xhevdet Doda" Zijadin GashiTregimi i Nerimane Kamberit, profesoreshë e frëngjishtes, shkrimtare dhe poete
Fakulteti i Filologjisë Bajram BajramiKimete Abdyli u lind në vitin 1955 në Podujevë. Ajo e ndërtoi gjithë jetën e saj rreth arsimit, duke u përkushtuar me pasion si mësimdhënëse e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në vitet e ’90-ta, Kimetja ishte një nga mësimdhënësit që vazhduan të japin mësim në ‘shtëpitë-shkolla.’
Një nga kujtimet më të dashura të Kimetes është klasa e parë, të cilën e përmendte me një buzëqeshje plot nostalgji. Ajo i kujtonte mësimdhënësit e saj me kthjelltësi, sikur vitet nuk kishin kaluar. Një detaj i veçantë që e lidhi gjithmonë me atë kohë ishte fakti se ndante të njëjtin emër me mësuesen e saj të parë, me të cilën ende mban kontakt. Shkolla, ashtu si e kujtonte ajo, kishte kushte të mira – një privilegj që ajo e vlerësonte shumë, duke pasur parasysh se kishte fatin të ndiqte mësimet në dy objekte të reja shkollore: filloren dhe të mesmen. Vite më vonë, shkolla e mesme, ku dikur kishte qenë nxënëse, u bë vendi ku ajo do të rikthehej – këtë herë, jo në bankat e shkollës, por si mësuese.
Kimetja përfundoi studimet në Universitetin e Prishtinës, duke udhëtuar rregullisht mes Prishtinës dhe Podujevës. Rrugëtimin e saj profesional, Kimetja e nisi në vitin 1980, në moshën njëzet e gjashtë vjeçare. Fillimisht dha mësim në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Lupç, për të vijuar më pas në shkollën e mesme të lartë “8 Nëntori” në qytetin e Podujevës.
Kimetja kujton helmimet e nënësëve që tronditën të gjithë komunitetin më, më datë 22 mars 1990. “Unë isha në shkollë,” rrëfen ajo, duke rikthyer në mendje atë ditë të errët. Njëri nga punëtorët teknik, i cili hyri për të pastruar, papritmas filloi të ndjehej keq. Më vonë u kuptua se ai ishte helmuar, edhe pse askush nuk e kuptonte saktësisht se çfarë po ndodhte. Shumë shpejt, helmimet u përhapën masivisht te nxënësit, krijuan një atmosferë paniku.
Në klasën ku Kimetja ishte kujdestare, nxënësit dolën jashtë gjatë pushimit, pranë një plepi afër shkollës, kur papritur filluan të rrëzoheshin njëri pas tjetrit. “Ishte e frikshme,” kujton ajo. Të gjithë, nxënësit dhe mësimdhënësit, u nisën me urgjencë drejt Prishtinës për trajtim në spital. “Asnjëherë nuk u kuptua saktësisht çfarë ndodhi,” thekson ajo me një ndjenjë pasigurie që ende e përndjek.
Pasojat e helmimeve vazhduan për muaj të tërë. Nxënësit shpesh ndiheshin keq, përjetonin kriza, humbnin vetëdijen dhe ngurtësoheshin në mënyrë të pashpjegueshme. “Kishte shumë raste të tilla,” shton Kimetja, duke përshkruar një periudhë të rëndë dhe të mbushur me ankth për të gjithë ata që e përjetuan.
Disa muaj më vonë, në shtator të atij viti, një ditë që filloi si çdo ditë tjetër mësimi, policia serbe hyri papritmas në shkollë dhe konfiskoi të gjitha ditarët. Ishte ora 7:45, momenti kur zakonisht fillonte mësimi. Kimetja dinte me saktësi emrat e atyre që ishin pjesë e këtij veprimi, duke përmendur se njërin prej tyre e kishte pasur koleg, ndërsa tjetrin mësimdhënës. “I mblodhën ditarët, s’kishim çfarë të bënim,” tha ajo, duke ripërjetuar pafuqinë e atij momenti. Së bashku me kolegët, improvizuan ditarë të rinj, duke përdorur letra të bardhatë thjeshta.
Më 12 dhjetor 1990, Kimetja u nis për në punë si zakonisht, por, kur mbërriti në shkollë, u përball me një pamje tronditëse: policia kishte bllokuar hyrjen dhe shpallte me fjalë të ashpra: “S’ka më hyrje, s’ka më mësim!” Ky vendim kishte ardhur pa asnjë paralajmërim. Pavarësisht kësaj, ajo dhe kolegët nuk u dorëzuan. Çdo të hënë, ata shkonin drejt shkollës, duke u rreshtuar nga dy, me shpresën se do të lejoheshin të hynin. “Policët na thoshin se nuk kishin faj, sepse ishin nën urdhra,” tregonte ajo.
Kur u bë e qartë se nuk do të kishte kthim në klasat e shkollave të tyre, Kimetja dhe stafi nisën të organizonin mbledhje në vende të tjera. Fillimisht, takoheshin afër lumit në Podujevë, pranë shelgjeve, ku u përpoqën të planifikonin një mënyrë për të vazhduar mësimin. Më vonë, mbledhjet u zhvendosën në Xhaminë e Qytetit, të njohur si “Met Podujeva,” e cila u kthye në një hapësirë të rezistencës dhe shpresës.
Në mbledhjet e organizuara, diskutohej si të vazhdohej mësimi dhe si të gjendej një zgjidhje sa më e shpejtë. Ajo vizitonte rregullisht shkollat dhe shtëpitë ku zhvillohej mësimi, përfshirë shkollën në Llapashticë, ku mësimdhënësit shkonin për të pyetur nxënësit dhe për t’u shpërndarë diplomat, duke siguruar që viti shkollor të mos humbej. Gradualisht, gjithnjë e më shumë familje filluan të lëshonin shtëpitë e tyre për t’i kthyer në shkolla.
Kimetja përshkruan me detaje ditën e saj të parë në shtëpi-shkollë: “Ishte një ndjenjë jashtëzakonisht e rëndë.” Ajo kujton se kjo situatë, edhe pse e vështirë, u bë pjesë e përditshmërisë, ndërsa shpresa e vetme mbetej që kjo fazë të përfundonte sa më shpejt. Në atë periudhë, ajo dha mësim në shkollën teknike Fan S. Noli, e cila ishte shpërndarë në tri shtëpi-shkolla, si dhe në objektin e shkollës fillore të Lluzhanit.
Kimetja punoi në shtëpinë-shkollë të Prof. Fetah Shehollit, një objekt i vendosur pranë lumit, që për një periudhë të gjatë u bë strehë e punës së saj. Ndërsa pas lindjes së vajzës së saj, Artës, rifilloi mësimdhënien në një tjetër shtëpi-shkollë, të Shefqet Gjergjit, ku vazhdoi punën për disa vite. Përveç kësaj, ajo jepte mësim edhe në Lluzhan, në ndërrimin e dytë që fillonte në orën 15:00. “Aty mësimi lejohej në objektin shkollor, sepse ishte shkollë fillore,” tha ajo.
Kushtet në këto hapësira ishin tepër të vështira. Dyshemetë ishin të papastra, bankat mungonin, dhe dërrasat e zeza ishin të dhuruara nga zdrukthtarët. Shpesh, pesë nxënës detyroheshin të ndanin një tavolinë të vogël. Në këto rrethana, nxënësit vinin në shkollë pavarësisht të ftohtit të dimrit, duke udhëtuar në këmbë përmes rrugëve të mbuluara me baltë ose borë. Disa prej tyre sillnin vetë stola apo batanije për t’u ulur.
Shtëpia ku punonte përpiqej të imitonte një shkollë, me disa dhoma të shndërruara në klasa dhe një hapësirë modeste për arsimtarët. Megjithatë, për nxënësit dhe mësimdhënësit, këto hapësira ishin më shumë se thjesht një vend për mësim – ato ishin simbol i rezistencës dhe vendosmërisë për të mos lejuar që arsimi të ndalej.
Edhe në këto kushte të vështira, ata mundoheshin që vlerësimin dhe notimin ta bënin me rregull. Në mungesë të ditarëve shkollor, Kimetja dhe kolegët përdornin fletore. Si mësimdhënëse e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, ajo vlerësonte nxënësit kryesisht përmes hartimeve dhe provimeve me gojë, duke i nxitur të shfaqnin mendimin e pavarur dhe kreativitetin. Hierarkia shkollore vazhdonte të funksiononte edhe në këto rrethana, me mbikëqyrje të rregullta nga drejtorëqt dhe inspektorati i komunës së Podujevës.
Pas luftës, Kimetja u rikthye në shkollën “8 Nëntori,” aty ku kishte filluar karrierën e saj shumë vite më parë. Pavarësisht viteve të vështira dhe sfidave të panumërta, ajo vazhdoi të jepte mësim deri në daljen në pension. Për Kimeten, kujtimet e asaj periudhe të trazuara mbeten gjithmonë të gjalla, veçanërisht solidariteti dhe vendosmëria që i mbajtën bashkë nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit. Ajo shpesh rikthehet me mendje te shtëpitë-shkolla, duke e kujtuar atë kohë si një pjesë të rëndësishme të jetës dhe profesionit të saj.
Shkrimtare e tregimit: Adea Batusha