Tregimi i Zijadin Gashit, kryetar i Këshillit të Arsimit të Komunës së Prishtinës nga viti 1990 deri 1999
Gjimnazi "Xhevdet Doda" Zijadin GashiTregimi i Nerimane Kamberit, profesoreshë e frëngjishtes, shkrimtare dhe poete
Fakulteti i Filologjisë Bajram BajramiTregimi i Muhamet Bicajt, ministër në ekzil gjatë viteve të ’90-ta
Enti Pedagogjik i Republikës së Kosovës dhe Pleqësia e Arsimit Shkolla fillore "Emin Duraku"Eufrozina ishte pjesë e gjeneratave të para të nxënësve shqiptarë që kryen gjimnazin dhe universitetin në gjuhën shqipe në Kosovë, përkundër studentëve dhe nxënësve shqiptarë të gjeneratave para saj, të cilët ishin detyruar që arsimin ta përfundonin në gjuhën serbe. Por me të filluar punën si arsimtare, ajo vërejti se nxënësve të saj i cënohej e drejta të shkollohen në gjuhën e tyre amëtare.
Ajo flet me aq shumë ndjenja për atë periudhë, sa të merr me vete në një udhëtim nëpër kohë e nëpër emocione të shumta. Është si të dëgjosh një histori që beson se ia di fundin por kur të ndërrthurren emocionet fillon të duket e pabesueshme.
Eufrozina numëron taktikat e shumta që u përdorën gjatë viteve 90 për të përzënë nxënësit shqiptarë nga shkollat. Ndalet më shumë tek njëra − përdorimi i helmeve kimike. Segregimi i mëhershëm i nxënësve shqiptarë dhe serbë nëpër klasa, kishte parapergatitur terrenin për ngjarjet që do të vijonin. Helmiment e nxënësve, Eufrozina i kuptonte mirë. Ajo kishte përfunduar studimet e kimisë dhe mund të kuptonte me saktësi se sa të rrezikshme mund të ishin ato.
Meqenëse askush nuk mori përgjegjësi për këto raste helmimi dhe nuk kishin prova të fajsonin askë, ato mbetën vepra me autorë anonim. Por kishte kohë që shqiptarët kishin humbur besimin tek pushteti dhe nuk dyshonin se ata ishin fajtorët e vërtetë.
Arsimtarja e kimisë jo vetëm se dinte efektet e ndryshme të helmeve por kishte filluar edhe t’i përjetonte disa nga to. Për të mos shkaktuar panik tek nxënësit, i injoronte ndjenjat drithëruese që dukeshin si të ishin insekte që lëvizin nëpër enët e gjakut apo halucinacionet e lehta dhe vazhdonte me orën mësimore.
Në situatën në të cilën gjendeshin, nuk mund të dilte hapur me akuza pa pasur shumë kujdes me secilën fjalë e vepër. Ajo fliste me drejtorin për dyshime të ndryshme por hasi në pengesa të shumta dhe mosbesim. Kishte propozuar madje edhe të vëzhgohej shkolla gjatë gjithë kohës nga arsimtarët, por një gjë e tillë nuk lejohej nga organet e sigurisë. Atëherë fllloi ngadalë të kuptonte se sipas së gjitha gjasave, helmet vendoseshin në shkollë gjatë natës. Ajo kuptoi gjithashtu se helmet po vendoseshin nga organet ushtarake, sepse ishin helme ushtarake që mund të sillnin vdekje të mënjëhershme po të gabohej doza, por simptomat mbaheshin në atë sasi sa të mund të mohohej helmimi.
Nxënësit frikësoheshin dhe nuk donin të mbanin mësim në klasë por edhe dëshironin të vazhdonin më qëndrësën e tyre për të mbrojtur arsimin. Atëherë filluan edhe probleme si akuzat nga arsimtarja e gjuhës serbe se nxënësit po bojkotonin mësimin e saj. Për të mos ashpërsuar situatën dhe për ta bindur kolegen se vërtëtë kishte helme, Eufrozina arrin t’i bindë nxënësit të shkojnë në klasë. Duke e ditur se pesha e helmeve ishte më e rëndë se ajo e ajrit dhe se rrjedhimisht efektet e tyre shfaqeshin më shumë tek ata që ishin të ulur sesa ata që ishin në këmbë, ajo e këshillon kolegen që të mbaj evidence për praninë e secilit nxënës duke e ditur se kështu ajo do të qëndronte e ulur për një kohë më të gjatë dhe do të bindej për kushtet e krijuara në shkollë. Ashtu edhe ndodhi, nuk kishte dyshim se diçka në klasë po shkaktonte ndjenja të mundimshme në organizmin e secilit.
Filluan të shfaqen simptoma të ndryshme psikike e fizike tek nxënësit. Disa alivanoseshin dhe duhej të nxirreshin nga mësimi që tu jepej ndihma e parë. Eufrozina kishte porositur edhe karbon aktiv në Kroaci për të trajtuar simptomat e helmimeve. Të gjithë atë mundim sepse nuk mund të kërkonte diçka të tillë në barnatore të qytetit ku mund të akuzohej për gjëra të ndryshme, por ishte e vendosur t’i ndihmonte nxënësit e saj me çdo kusht.
Kohë pas kohe ajo ndalet të merr pak frymë, të përpunojë ndjenjat e të vazhdojë të flasë me stoicizëm. Ajo tregon se si me të filluar mësimi në shtëpi private erdhi një lloj lehtësie. Me gjithë rrezikun që ekzistonte, të paktën tani nuk duhet të brengoseshin më për helme. Të gjithë motivonin njëri tjetrin. Eufrozina vë të gjithë meritat tek nxënësit. Ishin motivi pas trimërisë së secilit. Këmbëngulja e tyre për të vazhduar qëndresën dhe mësimin shuante frikat e ndryshme të arsimtarëve.
Puna e përbashkët e komunitetit të shqiptarëve i mundësoi atyre që të stabilizoheshin në shtëpitë-shkolla e të vazhdonin mësimin. Ishte mjaft e mundimshme për arsimtarët siç tregon Eufrozina. Pasiqë shtëpitë ishin të shpërndara nëpër qytet, dhe ata nganjëherë kishin orë mësimi në shtëpi të ndryshnme, u duhej të shkonin në anë të kundërta të qytetit në intervale të shkurtëra kohore që të mos humbnin mësimin.
Gjatë orëve mësimore, nxënësit ishin të grumbulluar në dhoma, e në mungesë të bankave përdornin shpinën e shokut të ulur para. Edhe nëpër ‘shtëpitë-shkolla’ kishin presione nga policia, të cilët vinin me pretekste të ndryshme për të kontrolluar shtëpitë. Të gjitha i tejkalonin duke e nxitur njëri tjetrin, derisa gjendja politike u keqësua e shpërthyen bombardimet e vitit 99. Atëherë shumica e qytetarëve u detyruan të braktisnin vendin me shpresën se do të ktheheshin në një të ardhme më të mirë.
Çfarëdo ndjenje e rëndë që mund ta ketë rënduar Eufrozinën teksa flet për mundimet e kohëve të vështira zhduket kur ajo fillon të flasë për kthimin në shkollë pas lufte. Në fytyrën e saj shkëlqen një buzëqeshje e çiltër. E përshkruan si ditën më të lumtur kur u ribashkuan me nxënësit në bankat shkollore, me gjeneratën të cilën ajo e quan më revolucionaren. I erdhi si një fillim i ri pas një vuajtjeje, një rilindje e shpresës pas humbjes.
Shkrimtare e tregimit: Bulza Çapriqi