Tregimi i Nerimane Kamberit, profesoreshë e frëngjishtes, shkrimtare dhe poete

  • Fakulteti i Filologjisë

  • Bajram Bajrami
  • Fakulteti i Makinerisë

  • Bajram Bajrami
  • Shkolla e mesme profesionale "Ymer Prizreni"

  • Bajram Bajrami

Nerimane Kamberi, Profesoreshë e Frëngjishtes, shkrimtare e poete, u lind në Preshevë dhe emigroi me familjen e saj në Belgjikë, për t’u rikthyer në Kosovë në vitet ’80.

Ky kthim shënoi një ndryshim të madh në jetën e saj personale dhe profesionale. Në Belgjikë, ajo kishte studiuar për dy vite drejtësi dhe më pas iu bashkua sistemit arsimor kosovar, një tranzicion jo i lehtë për të. Arsimi në Kosovë ishte krejtësisht ndryshe nga ai belg, dhe një nga vështirësitë e Nerimanes ishte ky adaptim. Përkrah studimeve të drejtësisë, ajo vazhdoi studimet në Frëngjisht në Universitetin e Prishtinës. Nerimane Kamberi fillimisht ishte studente në sistemin paralel, e më pas u bë mësimdhënëse në Prishtinë.

Një nga kujtimet e saj të veçanta është dita e diplomimit, kur dyert akademike ishin ende të hapura për shqiptarët. Për ta nderuar institucionin dhe punën që kishte bërë si studente, ajo bleu një fustan të gjelbër në Bororamiz. Për të, kjo nuk ishte thjesht një deklaratë mode; kjo shenjonte fillimin e një rrugëtimi surreal dhe të vështirë për Kosovën e viteve 90’. Veshja përfaqësonte jo vetëm respektin dhe përkushtimin, por edhe nevojën dhe dëshirën për t’u ndier normal në një situatë krejtësisht anormale.

Pas diplomimit, situata u bë edhe më e vështirë. Askush nuk kishte më qasje në fakultet për shkak të ndalimeve të vendosura ndaj shqiptarëve nga regjimi serb. Për dy vite, ajo dha mësim në apartamentin e saj njëdhomësh në Prishtinë. Kujtonte momentet kur i biri i saj i vogël zvarritej drejt studentëve të saj, një skenë që e rikthente vazhdimisht në mendje realitetin e ashpër në të cilin po jetonin. Atëbotë, arsimi nuk ishte thjesht një proces akademik, por një akt rezistence dhe mbijetese.

Nerimanja punonte ‘nga kodra në kodër’, duke lëvizur ndërmjet shtëpive shkolla në lagjet “4 Llullat” dhe Dragodan tek shtëpia e Bajram Bajramit. Ideali për t’i shërbyer studentëve e mbante të gatshme për punë dhe të pafrikësuar. Në vitin 1992, Nerimanja filloi punën si Asistente Lektore. “U vishesha bukur, isha fiksuar pak me veshjen,” tregon ajo, me dëshirën për të nderuar punën e saj në arsim. Megjithatë, sfidat e para e pritën që në fillim. Në orën e saj të parë, e cila u mbajt në një bodrum të zhveshur me disa karriga, nuk erdhën studentët. Në shënimet e saj të asaj dite, ajo kishte shkruar datën 24 tetor 1992 – “pas d’étudiant.” Frika dhe pasiguria për studentët dhe familjet e tyre ishin të zakonshme. Pavarësisht kësaj, ajo vazhdoi të jepte mësim në të njëjtin bodrum për dy, tre vite. Pas kësaj periudhe, ajo u zhvendos në një ndërtesë tjetër në lagjen “4 Llullat.” Kjo hapësirë, e cila sot nuk ekziston më, si shumë të tjera të përdorura për arsimin paralel, ishte e papërshtatshme. 

Kushtet për mësimdhënie ishin jashtëzakonisht të vështira. Ajo përgatiste vetë materiale didaktike, pasi nuk kishte qasje në biblioteka apo libra. Dokumentet e nevojshme shpesh i sillte nga shtëpia, duke improvizuar gjithçka që i duhej për mësim. Artikujt dhe shënimet e saj manuale ishin burimi i vetëm i informacionit për studentët. Lëndë si diktimi, gjuha dhe letërsia ishin pjesë e tematikave që ajo trajtonte gjatë orëve të saj, ndërsa temat si “lufta dhe paqja” apo “dashuria” shërbenin si bazë për diskutime të thelluara. Edhe detajet e vogla, si pushimet gjatë festave, shënoheshin me kujdes nga Nerimanja, si një përpjekje për të ruajtur një farë normaliteti në mesin e kaosit.

“Ndoshta po e idealizoj vullnetin,” tha Nerimanja, “por assesi kushtet.” theksoi ajo.  Frika për studentët ishte gjithmonë e pranishme – si do të vinin në mësim dhe si do të ktheheshin në shtëpi? Shoqërimi nga policia ishte një stres i përditshëm. Pavarësisht këtyre pengesave, mësimi vazhdoi falë përkushtimit të të gjithëvë që shfrytëzuan gjithçka që kishin në dispozicion për të mbajtur gjallë arsimin. Teksa lexonte shënimet e saj, ajo shpesh reflektonte mbi sfidat e përditshme dhe përpjekjet për të sjellë zakonshmëri në këto kushte.

Nganjëherë, kujtimet e Nerimanes ndaleshin përgjysmë, si një formë vetëmbrojtjeje shpirtërore, siç e quante ajo. Ajo dhe kolegët e saj ishin të bindur se nuk po bënin asgjë të paligjshme, por rreziqet ishin të përditshme. Në vitin 1992, Nerimanja kishe dëgjuar për  një ndërhyrje policore në Fakultetin Filozofik që përfundoi me thyerjen e dorës së mikes së saj, Sazana Çapriqi. Ky incident e tronditi thellësisht dhe i shtoi një ndjenjë të vazhdueshme frike, veçanërisht kur vinte koha për të marrë rrogën. Rruga për te ndërtesa e Administratës te  4 Llullat, ku merrej paga nga fondi i 3 përqindëshit, ishte shpesh e mbushur me pasiguri, pasi që shpeshherë përcilleshin nga policia.

Megjithatë, në mes të këtyre momenteve të rënda, ajo nuk mund të mos qeshte me absurditetet e kohës. Kujtonte periudhën e Markoviqit, kur inflacioni i lartë kishte bërë që një rrogë e plotë të mjaftonte vetëm për të blerë një këpucë, jo dy.

Në këto kushte, ekzistonte një dihotomi: nga njëra anë, gjithçka mund të ndodhte në çdo moment, dhe nga ana tjetër, një përpjekje e vazhdueshme për të jetuar “zakonshëm.” Momente si festimi i Absolventiadës shfaqnin këtë dëshirë për të ruajtur një iluzion të normalitetit në një kohë të jashtëzakonshme. Ndërsa përpiqeshin të silleshin sikur gjithçka ishte në rregull, ata ishin të vetëdijshëm se po jetonin një periudhë historike. Për Nerimanen, pjesëmarrja në delegacionin e studentëve për të përkrahur Grevën e Minatorëve në vitin 1989,  ishte një nga ato momente të veçanta që e lidhën personalisht me solidaritetin e atyre viteve. Kujton si studentët u mbyllën në sallën “25 Maji” (Sot, 1 tetori) në një akt proteste dhe bashkimi kundër padrejtësive. Ajo reflekton me emocione për atë kohë, kur ndjeu humbjen e disa miqve të saj dhe përballjen me pasojat e rënda të qëndresës së tyre. Ky kontrast midis përpjekjeve për të ruajtur normalitetin dhe vetëdijes se po ndodhnin momente historike e përforcon rëndësinë e asaj periudhe në kujtimet e saj.

Një moment tjetër historik ishte rikthimi në objektet shkollore në fillimet e viteve 2000. Sipas Nerimanes, rikthimi nuk solli ngazëllimin e pritur, pasi tranzicioni ishte i mbushur me sfida. Kosova kishte humbur kohë, dhe reformat nisën menjëherë. Përtej kësaj, vendi po rindërtohej në çdo aspekt – nga shtëpitë e shkatërruara deri te kthimi i refugjatëve dhe kërkimi për të humburit.

Nerimanja ndihmoi në arsimimin e  tri gjeneratave studentësh. Sot, Pas 32 viteve në mësimdhënie, rrëfimi personal mbetet një pjesë e rëndësishme e metodës së saj didaktike. Për të, është thelbësore që brezat e rinj të kuptojnë historinë jo vetëm si një kronologji ngjarjesh, por si një histori njerëzore e përkushtimit, idealit dhe dashurisë. “Jo vetëm rezistonim, por edhe duheshim,” thotë ajo, duke reflektuar mbi një epokë të reziliencës. 


Shkrimtare e tregimit: Adea Batusha