Tregimi i Feti Dashit, kryetar i nëndegës së Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Gjakovë

  • Zyra e LASH dhe Këshillit Komunal të Arsimit

  • Gëzim Bejtullahu

Në mbledhjen e 28 gushtit 1990, Enti Pedagogjik i Gjakovës kumtoi vendimin që të mos punohet me planprogramet e Serbisë por ato të  Kosovës dhe u shpërndau planprogramet e reja drejtorëve të shkollave të mesme. 

Feti Dashi e konsideron këtë një nga mbledhjet më të rëndësishme pasi refuzimi i planprogramit nga udhëheqësit e arsimit në Gjakovë u diskutua përgjatë shumë takimeve dhe përbënte një përpjekje disa-mujore ku me ngulm kërkohej të punohej me planprograme në gjuhën shqipe dhe të mos pranohej gjuha serbe si gjuhë jo amtare për nxënësit shqiptar. I gjithë ky organizim ishte i koordinuar me Entin Pedagogjik Qendror në Prishtinë.

Në Janar të vitit 1991, autoritetet serbe ndalën financimin e Entit pedagogjik të Gjakovës dhe të shkollave të mesme, e pastaj edhe shkollave fillore në prill të atij viti. Më 25 shtator, e larguan Entin pedagogjik të Gjakovës nga zyret e tyre, duke i detyruar që të gjithë veprimtarinë e tyre ta kryejnë në dyqane dhe kafene. Në pamundësi për të zhvilluarveprimtarinë e tyre, përfaqësuesit e entit në Gjakovë u ristrukturuan në Lidhjen e arsimtarëve shqiptarë (LASH) - nëndega Gjakovë. Kjo nëndegë, më drejtor Fetiun, u bë përgjegjëse për të gjitha çështjet arsimore  në Gjakovë prej vitit 1991 deri 1995.  

Autoritetet serbe vazhduan me masat e tyre duke dëbuar arsimtarë e nxënës nga objektet shkollore. Shumë nxënës e puntorë të arsimit, mbajtën shumë protesta të cilave pushteti serb iu përgjigj me shumë pengesa, kërcënime e dhunë. Përfundimisht u bë e qartë se nuk do të lejohej mësimi në gjuhën shqipe në objekte shkollore, pas dëbimit të 4000 nxënësve nga shkollat e mesme të komunës së Gjakovës. 

Pas  shumë mbledhjeve e takimeve për organizimin e mësimit të pavarur,  u shqyrtua mundësia që shkollat të zhvillojnë mësimet nëpër shtëpi private e objekte fetare. Më 30 gusht 1991, u  hartua plani për zhvillimin e mësimit të vitit shkollor 91/92.  Ky vit shkollor filloi më 20 janar të vitit 1992, në mejtepe, xhami, teqe, dyqane e shumë shtëpi private, duke shënuar kështu fillimin e periudhës së mësimit të pavarur në shqip në Gjakovë. Orët e mësimit zgjatnin 30 minuta për lëndë teorike dhe nuk përfshiheshin  lëndët e shkathtësisë, si arti, muzika e edukimi fizik. 

Fetiu rrëfen taktika të ndryshme që u krijuan për ta mundësuar vazhdimin e  mësimit tëpavarur, i cili vazhdimisht përcillej me bastisje, dënime e dhunë. Një ndër këto taktika ishte ndërrimi i shtëpive apo objekteve të mësimit për çdo muaj, në mënyrë që të mos hetohen gjurmët e mësimit. Përpos kësaj, ai shpjegon frikën e vazhdueshme që e shtyente të vëzhgonte objektet e mësimit që gjindeshin në qendër dhe mund të binin në sy.

Tetorin e vitit ‘92, ai e konsideron si shkëputjen përfundimtare të arsimit të komunës së Gjakovës nga vendimet zyrtare të Serbisë, në ç’periudhë rezistenca paqësore dhe organizimi i mësimit të pavarur mundësoi vazhdimin e arsimit në gjuhën shqipe, anipse në kushte të jashtëzakonshme.

Fetiu thekson se rezistenca e tyre nuk ka qenë fare e lehtë duke kujtuar se si autoritetet serbe janë hakmarrë për rezistencën e tyre duke ngritur disa herë aktakuza ndaj atij dhe udhëheqësve të tjerë të arsimit.  Ai nuk donte te fliste shumë për dhunën policore që kishte përjetuar si i burgosur për rezistencën e tij ndaj autoriteteve serbe. 

Për Fetiun veçantia e shtëpive-shkollave të viteve të 90-ta nuk ishte mbajtja e mësimit në shtëpi, meqenëse  edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë, është mbajtë mësimi në shtëpi në mungesë të objekteve shkollore. E veçanta e kësaj periudhe është mbajtja e mësimit në shtëpi private si kundërshtim ndaj autoriteve serbe që ndaluan mbajtjen e mësimit nëobjektet shkollore ekzistuese, gjë që e bën një akt rezistence.

Me një buzëqeshje të ngrohtë, në fund të bisedës sonë, Fetiu tregon se si kjo që po e bëjmë tani, pra të flasim për arsimin në gjuhën shqipe apo thjeshtë të flasim shqip, të lirë dhe pa pasoja, ishte akt i rezistencës në kohën kur organizoheshin shtëpitë-shkolla. "Ishte sfidë e madhe, por edhe detyrë e shenjtë," përfundon ai. “Na ka majt ideali, ideali që bëhet ma mirë. ‘Bac u kry’ a e din? Bac nuk u kry. Nuk u kry krejt po është ma mirë se në atë kohë.”


Feti Dashi, kishte këto role karshi arsimit në Kosovë, profesor i kimisë, drejtor i Entit Pedagjogjik të Gjakovës prej vitit ‘76 deri më ‘82, kryetar i nëndegës në Gjakovë të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar “Naim Frashëri”, drejtor i arsimit si dhe zyrtar i lartë MASHT-it. Për organizimin e mësimit të pavarur gjatë të 90-tave në komunën e Gjakovës, Fetiu dhe përfaqësuesit e tjerë të arsimit përmes organizatës së tyre “Veteranët e Arsimit” kanë botuar një libër me të dhëna të detajuara rreth veprimtarisë së asaj kohe dhe solidaritetin kolektiv ndaj shtypjes: Arsimi në Komunën e Gjakovës (1990-2000). OJQ “7 MARSI”. (2016) 

Libri: https://drive.google.com/file/d/1Lf_jlZhazGmEEuX6BIbl6vrWC8vyWuIi/view?usp=drive_link


Shkrimtare e tregimit: Natyra Ramoja