Tregimi i Eufrozina Nurës, profesoreshës së kimisë e cila ka dhënë mësim në shtëpinë shkollë të Herticëve nga viti 1992-1998
Gjimnazi "Sami Frashëri" Mehmet AliuTregimi i Zijadin Gashit, kryetar i Këshillit të Arsimit të Komunës së Prishtinës nga viti 1990 deri 1999
Gjimnazi "Xhevdet Doda" Zijadin GashiTregimi i Nerimane Kamberit, profesoreshë e frëngjishtes, shkrimtare dhe poete
Fakulteti i Filologjisë Bajram BajramiMazllom Kumnova (lindur më 17 mars 1946) ka pasur një karrierë të gjatë dhe të ndërlikuar në sistemin arsimor të Gjakovës dhe Kosovës. Ai mbajti pozita të ndryshme mes tyre profesor i gjuhës shqipe, Drejtor i Entit Pedagogjik në vitin 1986 dhe këshilltar i arsimit. I lindur në një familje shqiptare në Gjakovë, në atë kohë pjesë e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, Mazllomi përfundoi studimet në filologji dhe një master në metodologjinë e mësimdhënies së letërsisë. Më vonë, ai përfundoi edhe doktoraturën, duke e plotësuar përgatitjen e tij akademike dhe profesionale.
Përgjatë bisedës sonë, kur u pyet se si filloi karriera e tij në arsim në Gjakovë, Mazllomi buzëqeshi dhe hodhi një vështrim kah Feti Dashi, që ishte pranë tij. Me një humor të lehtë, ai tha se gjithçka nisi kur ishte vetëm 18 vjeç. Në atë kohë, ai ishte në kërkim të një burse për studimet universitare, por rrethanat e vështira e detyruan të fillonte punën si mësues. Arsimi ishte në gjendje të vështirë. Mungonin mësues dhe kushtet ishin të rënda. Administrata komunale i kishte thënë se duhej të fillonte të jepte mësim për të përfituar bursën. Kështu, ndodhi që karriera e tij në arsim filloi me mësimdhënien në një fshat të vogël të Komunës së Gjakovës, Mulliq, në vitin 1965.
Gjatë bisedës sonë për dokumentimin e historisë së tij, Mazllomi ishte bashkë me Feti Dashin, një figurë tjetër e rëndësishme për organizimin e sistemit paralel të arsimit në gjuhën shqipe në Gjakovë dhe një shok i afërt i tij. Miqësia e tyre reflektohej në mënyrën se si i përfundonin rrëfimet e njëri-tjetrit. Të dy kujtojnë sfidat dhe presionet e asaj kohe. Një prej momenteve që ata kujtojnë ndodhi në vitin 1990, kur inspektori serb Predrag Stefanović u përpoq të bashkëpunonte me ta. Pas refuzimit të prerë, Stefanović vizitoi shkollat e Gjakovës i shoqëruar nga policë të armatosur, duke kërcënuar drejtorët me përjashtim nga puna. Mazllomi dhe Fetiu qëndruan të palëkundur, duke refuzuar zbatimin e planprogrameve serbe.
Në një periudhë kur shqiptarëve u mohohej e drejta për të ushtruar të drejtat bazë, përfshirë praktikimin e identitetit të tyre kombëtar, gjë që ndër të tjera manifestohej në ndalimin e aktiviteteve në gjuhën shqipe, Mazllomi kujton me buzëqeshje një moment të veçantë. Ishte mbledhja ku u shpërndanë dëftesat e para në gjuhën shqipe për nxënësit, me mbishkrimin "Republika e Kosovës." Në mungesë të hapësirave të sigurta, drejtorët e shkollave ishin ftuar në zyrat e LDK-së në Gjakovë, ku ndodhej edhe i ndjeri Bardhyl Çaushi. Mazllomi kujton një moment kur drejtorët e shkollave e pyetën se çfarë të thoshin nëse policia i ndalonte dhe i pyeste për origjinën e dëftesave, ai u përgjigj: "Thoni që unë ua kam dhënë." Edhe pse një akt simbolik, shpërndarja e dëftesave ishte një akt rezistence që i dha jetë arsimit shqip në rrethana të jashtëzakonshme, duke reflektuar guximin dhe kreativitetin në përballimin e presioneve të kohës.
Sigurimi i materialeve didaktike për mësimin në gjuhën shqipe paraqiste një sfidë të madhe, pasi ky proces konsiderohej pjesë e mosbindjes civile. Mazllomi rrëfen momente nga kjo periudhë, duke përmendur edhe përpjekjet për të siguruar abetaret në gjuhën shqipe—një detyrë e ndërlikuar dhe sfiduese në atë kohë. Abetaret siguroheshin nga Prishtina, një proces i rrezikshëm për shkak të patrullimeve të shpeshta nga forcat policore serbe. Pa një vend zyrtar për t’i ruajtur, pasi ndërtesat arsimore ishin mbyllur dhe mbikqyreshin nga policia, u vendos që një kamion me abetare, sapo mbërriti, të dërgohej së bashku me Afrim Devën në Teqenë e Madhe të qytetit të Gjakovës. Me një buzëqeshje, Mazllomi kujton sesi i kishte thënë zotëri Aqifit, i cili ishte i pranishëm në momentin e mbërritjes së kamionit me libra nga Prishtina: "Kjo është shtëpia e Zotit dhe vend më të sigurtë nuk ka."
Ndër vite të vështira, Mazllomi përjetoi burgosje dhe ndalime të shumta nga autoritetet serbe. Në vitet 1993-1995, ai ishte i burgosur dhe përjetoi hetime të ashpra. Mazllomi tregon se kur e pyetnin gjatë hetimeve, ai "bënte dredha", duke shmangur përgjigjet e drejtpërdrejta. Kujton se për katër ditë dhe tre netë u mbajt në burg pa gjumë dhe pa ushqim, duke duruar tortura të tmerrshme. Pas kësaj, ai u transferua në burgun e Pejës, ku përballoi kushte të rënda.
Mazllomi poashtu luajti një rol thelbësor edhe në organizimin dhe drejtimin e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” (LASH). Në vitin 1990, ai ndihmoi në hartimin e Statutit dhe Programit të parë të LASH, duke punuar me një ekip të përkushtuar. Dokumentet e hartuara në atë kohë shërbyen si bazë për organizimin e arsimit të pavarur në Kosovë.
Në recensionin e tij për librin “Arsimi në Komunën e Gjakovës (1990-2000),” Mazllomi thekson rëndësinë e dokumentimit të kësaj periudhe. Ai vlerëson librin si një përpjekje serioze për të pasqyruar dhunën dhe terrorin që përjetoi arsimi shqip nën okupimin serb. Në të njëjtën kohë, libri pasqyron qëndresën dhe vendosmërinë e shqiptarëve për të ruajtur arsimin shqip. Organizimi i “shtëpi-shkollave” përfaqëson, sipas tij, një rast unik në historinë botërore të arsimit.
Pas luftës, Mazllomi vazhdoi kontributin e tij në sferën publike. Ai shërbeu si kryetar i përkohshëm i komunës së Gjakovës nga viti 1999 deri më 2001 dhe më pas si deputet në Kuvendin e Kosovës nga viti 2005 deri më 2007. Gjatë gjithë jetës së tij, Mazllomi mbeti i përkushtuar ndaj arsimit, duke besuar fuqishëm në rolin e tij për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të zhvilluar.
Duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive të mësimit në gjuhën shqipe në komunën e Gjakovës gjatë viteve të 90-ta, Mazllomi punoi për sistemimin dhe grumbullimin e dokumenteve të nevojshme. Të gjitha këto përpjekje janë përmbledhur në librin “Arsimi në Komunën e Gjakovës (1990-2000),” që është punë e përbashket e një ekipi që përbëhej nga Mr. Halim Hyseni, Prof. Dr. Mazllom Kumnova, Mr. Muhamet Rogova, si dhe këshillin redaktues: Prof. Feti Dashi, Prof. Myftar Shala, Prof. Bajrush Maloku, Prof. Murteza Xharra dhe Prof. Islam Juniku.
Shkrimtare e tregimit: Natyra Ramoja