Tregimi i Eufrozina Nurës, profesoreshës së kimisë e cila ka dhënë mësim në shtëpinë shkollë të Herticëve nga viti 1992-1998
Gjimnazi "Sami Frashëri" Mehmet AliuTregimi i Zijadin Gashit, kryetar i Këshillit të Arsimit të Komunës së Prishtinës nga viti 1990 deri 1999
Gjimnazi "Xhevdet Doda" Zijadin GashiTregimi i Nerimane Kamberit, profesoreshë e frëngjishtes, shkrimtare dhe poete
Fakulteti i Filologjisë Bajram BajramiMuhamet Bicaj, i lindur në fshatin Vrellë të Istogut, përfundoi shkollën fillore në vendlindje. Studimet e mëtejshme i vijoi në Shkollën Normale të Prishtinës, ku ëndrrat për dije dhe ndryshim nisën të marrin formë në fundvitet e 50-ta. Ai u diplomua në degën e kimisë me një përkushtim të thellë ndaj shkencës dhe arsimit, një pasion që do ta ndihmonte të përballonte sfidat si Ministër i Arsimit në ekzil gjatë viteve të trazuara të ’90-ta.
Në fillim të rrugëtimit të tij profesional, Muhameti punoi me përpikëri dhe pasion si shef i laboratorëve në Therandë. Më vonë, kaloi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë si asistent, në vitin 1972. Si një nga themeluesit e këtij fakulteti, ai la një trashëgimi të rëndësishme në arsimin e lartë të Kosovës. Studimet pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit e thelluan më tej njohurinë e tij, duke kulmuar me doktoraturën e tij në vitin 1984.
Në periudhën 1983-1986, Muhameti u zgjodh Prorektor i Universitetit të Prishtinës, një pozitë që kërkonte vendosmëri. Roli i tij ishte më shumë se një detyrë zyrtare; ai punoi me pasion për të themeluar degë të reja që do të përmbushnin nevojat e studentëve dhe kohës si dhe dha një kontribut për diversifikimin e arsimit të lartë në Kosovë.
Fillimi i asaj dekade shënoi një përkeqësim të ndjeshëm të situatës politike në Kosovë, veçanërisht në sektorin jetik të arsimit, ku të drejtat e shqiptarëve filluan të ngushtoheshin me shpejtësi. Muhameti kujton me detaje një konferencë të rëndësishme për planprogramet shkollore, ku qëndrimi i tij ishte i palëkundur. Ai votoi për planet e Kroacisë dhe Sllovenisë, duke refuzuar propozimet e Serbisë. Me një zë të qartë dhe të sigurt, ai deklaroi: “Asnjë plan dhe program i bërë në Beograd, pa pjesëmarrjen e ekspertëve tanë nga Kosova, nuk do të përdoret kurrë.”
Në ato kohë të mbushura me ankth dhe pasiguri, bashkëpunëtori më i ngushtë i Muhametit ishte Halim Hyseni, Drejtor i Entit Pedagogjik në nivel Kosove. Së bashku, ata punuan me një vendosmëri. Muhameti rrëfen me emocion momentet kur planet arsimore të dërguara nga Serbia i fshehën në bodrumin e errët, ku vetëm ata të dy mund t’i shihnin, por mos t’i përdornin. Aty, në atë hapësirë të vogël por plot me shpresë, lindnin planet për të mbrojtur arsimin shqiptar nga imponimet.
Pas disa ditësh nga ky konfrontim, Muhameti mori një telefonatë nga Stjepan Mesić, i cili e informoi se Serbia kishte lëshuar fletarrest kundër tij. E prisnin 16 vjet burgim për kundërshtimin e hapur të politikave arsimore serbe. Nuk kishte më kohë për të menduar. Me ndihmën e Mesićit, Muhameti u nis drejt Shkupit. Udhëtimi ishte i shpejtë dhe i mbushur me tension.
Nga Shkupi, kaloi në Lubjanë, ku gjeti strehim të përkohshëm. Nuk qëndroi gjatë. Rrjeti i tij i mbështetjes organizoi kalimin në Kroaci. Së fundmi, arriti në Gjermani, ku më në fund u sistemua për një kohë më të gjatë. Pavarësisht largësisë, ai qëndroi i përqendruar te detyra e tij. Pikërisht gjatë kësaj kohe në ekzil, ai u kontaktua nga Dr. Ibrahim Rugova, i cili i tha se tashmë ishte emëruar Ministër i Arsimit.
Si ministër në ekzil, ai nga largësia punoi ngushtë me Halim Hysenin për të siguruar vazhdimësinë e mësimit në gjuhën shqipe në Kosovë përmes shkollave-shtëpi. Takimet e rregullta koordinuese zhvilloheshin kryesisht në Kroaci, ku Halimi dhe kolegët e tjerë vinin për të diskutuar përgjegjësitë dhe sfidat e përditshme.
Një tjetër detyrë e rëndësishme e Muhametit ishte hapja e shkollave shqipe në vendet perëndimore. Ai ishte përgjegjës për themelimin e shkollave në Gjermani, Zvicër, Norvegji, Angli, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto shkolla u hapën me vulën e Republikës së Kosovës. Muhameti kujton me krenari takimin e tij me Angela Merkel në Gjermani dhe faktin që shumë nga ato shkolla vazhdojnë të funksionojnë edhe sot. Ai mori pjesë gjithashtu në përzgjedhjen e mësimdhënësve që do të jepnin mësim në këto shkolla.
Sipas Ish-ministrit, një nga vendimet më të vështira atë kohë ka qenë lufta e përditshmë për të qëndruar të pavarur nga Serbia, dhe kjo luftë ka qenë e ndërlidhur drejtpëdrejtë me mbajtjen gjallë të shtëpive shkolla, të cilat sipas tij kanë funksonuar jashtëzakonisht mirë, ndonësë me vështirësi të mëdha.
Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Muhameti u kthye në Kosovë dhe vazhdoi të kontribuonte në arsim. Ai shërbeu si shef i grupit për hartimin e teksteve shkollore dhe ndihmoi në shpërndarjen e tyre në të gjithë Kosovën. Ndër tekstet që ai hartoi përfshihen librat “Njeriu dhe Natyra” dhe disa tekste të kimisë.
Shtrimtare e tregimit: Adea Batusha