Tregimi i Eufrozina Nurës, profesoreshës së kimisë e cila ka dhënë mësim në shtëpinë shkollë të Herticëve nga viti 1992-1998
Gjimnazi "Sami Frashëri" Mehmet AliuTregimi i Zijadin Gashit, kryetar i Këshillit të Arsimit të Komunës së Prishtinës nga viti 1990 deri 1999
Gjimnazi "Xhevdet Doda" Zijadin GashiTregimi i Nerimane Kamberit, profesoreshë e frëngjishtes, shkrimtare dhe poete
Fakulteti i Filologjisë Bajram BajramiI lindur në Tomoc të Istogut më 1946, Bajram Shatri ka shërbyer si Sekretar i Këshillit Qendror për Vetfinancim gjatë viteve '90.
Bajrami kreu shkollën fillore në Gurakoc, 1.5 km larg shtëpisë së tij. Kushtet ishin të vështira; cilësia e mësimdhënësve ishte e dobët dhe varfëria e përhapur. Nuk kishte tekste mësimore, dhe në vend të fletoreve nxënësit përdornin tabela të vogla, njëra anë me katrorë dhe tjetra me vija. Bajrami shpjegon se numri i vajzave në shkollë ishte i ulët, kryesisht për shkak të martesave të parakohshme.
Në vitet 1962, përfundoi shkollën fillore dhe u nis për shkollimin e mesëm në Mitrovicë, ku edhe u shpërngul. Ai shpjegon se shkollat e mesme në Kosovë u themeluan shumë vonë, dhe se të gjithat funksiononin në gjuhën serbo-kroate.
Tekste mësimore në gjuhën shqipe nuk kishte. “Kishim vështirësi edhe me gjuhën shqipe, e lëre më me serbo-kroatishten,” rrëfen ai. Kur përfundoi gjimnazin, punoi si mësues, grumbulloi të holla dhe më pas vijoi Shkollën Normale në Prizren, e më vonë studimet në Universitet. Kujton se vetëm pesë lëndë zhvilloheshin në gjuhën shqipe.
Në vitin 1968, mori pjesë në demonstrata. Së bashku me shokët, u informuan një javë përpara dhe vendosën të takohen tek Fakulteti Filozofik për t’iu bashkuar protestës. “Kishim mësim me Fehmi Aganin dhe i thoshim që të mos mbante orën, sepse do të shkonim në katund,” por profesori e dinte se qëllimi i Bajramit dhe shokëve të tij ishte pjesëmarrja në protestë.
Më pas, gjatë viteve 1974-78, punoi në Normalen e Mitrovicës, për të vazhduar në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, ku shërbeu si pedagog për shtatë vite. Ishte një ndër pedagogët e parë. Gjithashtu, kishte një emision në Radio Prishtina, të cilin e udhëhoqi për dy vite me titullin “Pedagogu përgjigjet.” Pas kësaj, vazhdoi angazhimin e tij në Bashkësinë Krahinore të Arsimit, ku fillimisht ishte këshilltar për planifikim dhe analizë, e më pas koordinator, me detyrën kryesore të merrej me kriteret e regjistrimit të nxënësve.
Në vitin 1990, u largua nga puna sepse nuk pranoi të bëhej inspektor i arsimit. Ai ishte një nga tre inspektorët e caktuar. Bajrami refuzoi pasi nuk ishte inspektor me profesion dhe ishte i vetëdijshëm për pasojat politike të përfshirjes në vendimet që synonin të vulosnin se shkollat shqipe nuk plotësonin kriteret, duke kërkuar kështu mbylljen e tyre. Pikërisht nën këtë pretekst, shkollat u mbyllën. Filloi rënia e numrit të nxënësve, nga 305 mijë në 260 mijë. Rënie drastike pati edhe në shkollat e mesme, ku numri i nxënësve ra nga 71,000 në 63,000. Mësimdhënia gjithashtu u dobësua, pasi rreth 2,000 mësimdhënës u larguan nga vendi gjatë viteve 1990-92.
Financimi i arsimit u ndërpre fillimisht për mësimdhënësit e klasave të para, të pesta dhe të viteve të para të shkollave të mesme, shpjegon Bajrami. Më 1 janar 1990, u ndërpre financimi për shkollat e mesme, ndërsa më 1 prill edhe për shkollat fillore. Në shtator, mësimdhënësit e klasave të para, të pesta dhe të gjashta mbetën pa të ardhura. Megjithatë, mësimdhënësit treguan solidaritet duke grumbulluar të holla dhe duke i shpërndarë në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Në shtator, shkollat u ndërprenë. Nga janari i vitit 1991 deri në prill të vitit 1992, mësimdhënësit punuan pa paga, ndërsa më pas u kompensuan nga Këshilli Qendror për Financimin e Kosovës.
Vitet 1990-91 shënojnë periudhën e diplomave pa vula, por vetëm me nënshkrime të drejtorëve dhe kujdestarëve shqiptarë. Për regjistrimin në vitin 1991-92, nxënësit prezantuan vetëm dëftesa të nënshkruara, të cilat u krahasuan një nga një për të shmangur manipulimet. Sipas Bajramit, nuk është regjistruar asnjë rast keqpërdorimi. Ai shpjegon se pranë shkollave të mbyllura ka pasur më shumë policë sesa arsimtarë. Asnjë shkollë nuk funksiononte. Kështu, më 20 janar 1990, ministri i atëherëshëm i arsimit, Muhamet Bicaj mori vendimin që mësimi të vazhdohej nëpër shtëpi, dhe për këtë qëllim “u lajmëruan 12,000 pronarë shtëpish” tregon Bajrami.
Viti i parë u zhvillua pothuajse tërësisht nëpër shtëpi, me përjashtim të disa objekteve të shkollave fillore. Rreth 3,200 persona ofruan shtëpitë e tyre, nga një dhomë deri në dhjetë dhoma. Shkollat fillore (klasat 1-4) ishin më të lehta për t’u organizuar, pasi kishte vetëm një mësimdhënës për klasë, thoshte Bajrami. Ndërkohë, shkollat e mesme paraqitnin sfida, sepse nxënësit duhej të udhëtonin nga një shtëpi në tjetrën. Për këtë arsye u përdorën orët bllok, ku një lëndë që zakonisht zhvillohej gjatë javës, mbahej në një ditë të vetme, në formë tandem. Kjo metodë u zbatua edhe për të shmangur ndjekjet nga policia serbe.
Gjatë kësaj periudhe, Bajrami shërbeu si Sekretar për Këshillin Qendror për Vetfinancim, ku një grup ishte angazhuar për të krijuar një mekanizëm për sigurimin e të ardhurave. Më 1 prill 1992, u siguruan të ardhura për të gjithë pas formimit të 32 këshillave komunalë të financimit. Kishte dallime të mëdha midis rajoneve, varësisht nga gjendja socio-ekonomike e secilit vend. Deri në vitin 1995, pagat ishin lineare, por më pas u krijuan kritere për diferencimin mes mësimdhënësve, arsimtarëve, drejtorëve, etj.
Fillimisht u siguruan 20 marka për mësimdhënësit, shifër e cila u rrit me kohë. Në vitin 1998, mësimdhënësit e shkollave të mesme merrnin deri në 198 marka, ndërsa ata të shkollave fillore 150. Transportimi i mjeteve ishte shumë i vështirë, pasi shpesh ato vidhej gjatë rrugës dhe duhej të transportoheshin të fshehura nën pemë, perime apo në autobusë. Ndërkohë, për Universitetin kanë ndihmuar edhe vetë studentët, të cilët, pas regjistrimit, kontribuan në mënyrë individuale. Për UP-në ekzistonte gjithashtu një fond i përgjithshëm që siguronte të ardhurat.
Bajrami me shumë kujdes ka dokumentuar çdo detaj të punës së tij, duke e bërë të mundur rikujtimin dhe ruajtjen e kësaj historie. Përveç këtij angazhimi jashtëzakonisht të rëndësishëm, ai vazhdoi rrugëtimin e tij në fushën e arsimit duke shkruar për historinë e arsimit dhe duke punuar si Drejtor i shtëpisë botuese “Libri Shkollor” për 25 vite.
Shtrimtare e tregimit: Adea Batusha