Tregimi i Eufrozina Nurës, profesoreshës së kimisë e cila ka dhënë mësim në shtëpinë shkollë të Herticëve nga viti 1992-1998
Gjimnazi "Sami Frashëri" Mehmet AliuTregimi i Zijadin Gashit, kryetar i Këshillit të Arsimit të Komunës së Prishtinës nga viti 1990 deri 1999
Gjimnazi "Xhevdet Doda" Zijadin GashiTregimi i Nerimane Kamberit, profesoreshë e frëngjishtes, shkrimtare dhe poete
Fakulteti i Filologjisë Bajram BajramiHalim Hyseni, i lindur në vitin 1944 në Kapit të Medvegjës, është ideatori i shtëpive-shkolla. Pasi erdhi në Prishtinë për të ndjekur shkollimin e mesëm, ai përfundoi studimet e larta në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, si dhe Pedagogji, në Universitetin e Prishtinës.
“Kosova ka qenë si diell për mua,” nis rrëfimin Halimi. Ai kujton se kishte udhëtuar më këmbë nga fshati deri në qytet për të ndjekur provimin pranues në Universitetin e Prishtinës. Pavarësisht vështirësive të periudhës kur mbërriti si student, ai e përshkruan ambientin në Shkollën Normale si pozitiv. Megjithatë, regjimi i Rankoviqit e bëri jetesën të vështirë për shqiptarët.
Si nxënës i shkëlqyer dhe njohës i gjuhës serbe, Halimi e pati më të lehtë të përballonte sfidat e shkollimit. Ai kujton me krenari se hartimet e tij shpërndaheshin dhe lexoheshin nga të gjithë! Pas përfundimit të shkollës së mesme, Halimi u kthye në fshatin e tij, Kapit, për të dhënë mësim. Në atë kohë, mësimi zhvillohej në gjuhën serbo-kroate, edhe pse të gjithë nxënësit ishin shqiptarë. Momenti kur filloi të jepte mësim në shqip pas largimit të Rankoviqit mbetet ndër përvojat më të rëndësishme të tij.
Pasi përfundoi shërbimin ushtarak, Halimi kreu dy vite në Shkollën Normale dhe më pas u bë pedagogu i parë në shkollën ‘Nikolla Teslla’ në Ferizaj. Karriera e tij vijoi në Entin Pedagogjik të Ferizajt dhe më pas në Entin Pedagogjik të Prishtinës, ku u transferua në vitin 1975. Në vitin 1987, ai u emërua Drejtor i Entit Pedagogjik, një pozicion që rezultoi jashtëzakonisht sfidues për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme nga regjimi serb.
"Kur mbërrita në Ent, Rexhep Osmani ishte përjashtuar," tregom Halimi, duke shtuar se Serbia kishte propozuar një sistem dygjuhësor për shkollat, ku mësimi do të zhvillohej njëkohësisht në shqip dhe serbisht. Kjo u refuzua kategorikisht, duke këmbëngulur që planet dhe programet mësimore të hartoheshin nga vetë shqiptarët, sipas ligjeve në fuqi në atë kohë. Një ditë më pas, kishte kthyer Rexhepin në punë, dhe kishte shpërndarë pagesat ashtu siç patën qenë të planifikuara.
Planet dhe programet mësimore u hartuan nga vetë shqiptarët, por situata politike u përkeqësua shpejt, duke çuar në mbylljen graduale të shkollave. Halimi kujton se bëri thirrje në Kuvend për zbatimin e këtyre planeve dhe programeve, duke kërkuar që viti shkollor të vazhdonte pavarësisht pengesave.
Halimi luajti një rol kyç në çdo aspekt të arsimit shqip të asaj periudhe, përfshirë edhe themelimin e LASH-it. Ai propozoi krijimin e një shoqate të pavarur për mësimdhënësit shqiptarë si një masë mbrojtëse në rast të ndalimit të punës. LASH-i u bë një organizatë që funksionoi jo vetëm në Kosovë, por edhe në çdo vend ku kishte mësimdhënës shqiptarë.
Një nga krenaritë më të mëdha për Halimin ishte organizimi i shkollave-shtëpi, të cilat shpëtuan 430,000 nxënës dhe studentë nga humbja e një viti shkollor. Ai thekson se, nëse ai vit do të përsëritej, organizimi i mësimit në gjuhën shqipe do të bëhej i pamundur, duke i dhënë fund gjithçkaje.
Kështu nisi dekada e shkollave-shtëpi, një koncept që Halimi propozoi gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së LDK-së. Ai kujton me humor reagimet e mosbesimit dhe cinizmit të disa prej të pranishmëve, të cilët thoshin: "Kush është ky i marrë që mendon se mësimi mund të zhvillohet në shtëpi?"
Si lindi ideja? Në një situatë që përkeqësohej dita-ditës, Halimi, i shqetësuar, organizoi një mbledhje në zyrat e LASH-it. Pas tre orësh diskutime pa rezultate konkrete, Halimi insistoi se një mbledhje pa përfundime ishte e dështuar. Ai kërkoi që të dilnin nga mbledhja me një plan konkret. Në fund, të pranishmit, përfshirë Pajazit Nushin dhe Burhan Kavajën, ranë dakord të hartonin koncept-letra individuale.
Halimi, i angazhuar në Entin Pedagogjik dhe në bashkëpunim të ngushtë me kolegë si Bajram Shatri, e kuptoi se arsimi në Kosovë nuk kishte alternativë tjetër. "Më lindi ideja dhe e shkrova," kujton ai, duke nënvizuar se sfida kryesore ishte zbatimi. Kështu lindën "variantet," që përcaktuan mënyrën e funksionimit të sistemit arsimor gjatë viteve ’90. Varianti C u aplikua për shkollat e mesme dhe i njëjti variant u përdor edhe për Universitetin e Prishtinës. Plan-programet për vitin shkollor 1990-91 u hartuan brenda vetëm dy muajve.
Takimet për të mbajtur arsimin gjallë ishin të shpeshta dhe puna ishte e pandërprerë, ndërsa vizitat në shkolla realizoheshin me rigorozitet. Halimi sqaronte se sfida më e madhe e asaj periudhe ishin financat, por kjo nuk zbehu përkushtimin e mësimdhënësve dhe nxënësve.
Ai kujton me respekt se, pavarësisht mungesës së burimeve dhe kushteve infrastrukturore, arsimtarët organizonin teste dhe vlerësime të rregullta, duke ruajtur standardet akademike të arsimit shqip. Halimi kujton se shumë nga arsimtarët e asaj kohe përballeshin me mungesë të kushteve minimale për punë dhe pagesa. Megjithatë, ata zhvillonin mësimin duke përdorur mjete të thjeshta, shpeshherë duke i mbajtur librat në dysheme ose në shilte. Ai përmend përkushtimin e tyre si një nga arsyet pse arsimi shqip mbijetoi. Takimet zhvilloheshin kryesisht në shtëpi private ose në shkolla fillore që ende funksiononin. Halimi kujton një incident në gusht, gjatë një takimi në shkollën ‘Emin Duraku,’ kur policia mbërriti bashkë me Rexhep Osmanin. Megjithatë, falë qëndrueshmërisë dhe rezistencës së tyre, situata përfundoi pa pasoja të rënda. Halimi përshkruan marrjen në pyetje nga policia si një rutinë të zakonshme të asaj kohe. Por ishin të mësuar me këtë.
Halimi së bashku me të tjerët që ishin të angazhuar kanë vazhduar punën e tyre për shtëpitë shkolla deri në fund të viteve 90’. Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Halimi vazhdoi të kontribuonte në arsimin e Kosovës, duke marrë pjesë në reforma të rëndësishme. Ai i përshkruan vitet '90 si një periudhë të mbushur me sfida të jashtëzakonshme psikologjike, në një situatë tejet të rëndë, por njëkohësisht unike në historinë e arsimit shqiptar.
Shtrimtare e tregimit: Adea Batusha