Tregimi i Fetah Bylykbashit, drejtor i Entit Pedagogjik në Prishtinë dhe kryetar i Këshillit Organizativ në protestat e 12 dhe 13 tetorit 1992

  • Enti Pedagogjik ndërkomunal i Prishtinës

  • Enti Pedagogjik ndërkomunal i Prishtinës

Fetah Bylykbashi ka shërbyer si Drejtor i Entit Pedagogjik në Prishtinë. Më vonë, ai u përzgjodh Kryetar i Këshillit Organizativ të Protestave për mbajtjen e arsimit shqip gjallë në protestat e 12 dhe 13 tetorit 1992.

Fetahu e nisi karrierën si mësues në shkollën e Shipitullës, ku punoi për 8 vite. Më pas, në vitin 1970, ai u punësua si përkthyes në Fakultetin Juridik për 5 vite. Në vitin 1976, filloi punë si pedagog në një shkollë, ku punonte në dy gjuhët, atë shqipe dhe serbe. Në vitin 1979, u emërua Drejtor i Entit Pedagogjik në Prishtinë, pozitë që mbajti deri në vitin 1999. Krahas këtyre detyrave, ai ishte sekretar në Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH).

Së bashku me Halim Hysenin, Drejtor i Entit Pedagogjik në nivel Kosove, Fetahu ishte plotësisht i angazhuar në mbështetjen e arsimit shqiptar. Ai nuk refuzoi kurrë asnjë detyrë që ishte në interes të arsimit. Në vitet 1991-1992, ai ndihmoi edhe në Këshillin për Financim, ku shërbeu si këshilltar, duke kontribuar në sigurimin e burimeve për arsimin shqip.

Në vitin 1995, regjimi serb vendosi mbylljen e Entit Pedagogjik, në kuadër të fushatës së mbylljes së institucioneve shqiptare në Kosovë. Fetahu dhe Halim Hyseni e kundërshtuan këtë vendim me ngulm. Për të vazhduar punën, nisi një formë e re organizimi përmes drejtorive komunale të arsimit. Në këtë kohë, Drejtori i Institutit Albanologjik, Sadri Fetiu, u ofroi një zyrë për të mbajtur mbledhjet javore të Entit Pedagogjik. Përveç këtyre takimeve, Fetahu vazhdoi vizitat sistematike në shkolla, edhe pse shpeshherë ndiqej dhe survejohej nga policia serbe.

Me rëndimin e situatës, nevoja për një organizim më të madh u bë urgjente. U krijua Këshilli Organizativ i Protestave, ku Fetahu u emërua Kryetar. Protestat e 12-13 tetorit 1992, e cila zgjatën dy ditë dhe përfshinë 7 qendra të Kosovës, kishte kërkesa të qarta dhe të drejtpërdrejta. Nuk kërkohej vetëm mbrojtja e arsimit, por edhe e drejta për institucione të pavarura. Kosova kërkonte shkollat e saj, të drejtuara nga ligjet e saj, pa shtypje dhe me të drejta të barabarta për të gjithë, deklaronte Fetahu me vendosmëri.

Fetahu përshkruante në detaje procesin e organizimit të protestave, që filloi me vendimin e Dr. Ibrahim Rugovës. U caktuan organizatorët, dhe Fetahu u delegua nga LASH-i si Kryetar. Çdo organizator kishte një zëvendësues të gatshëm në rast të lëndimit apo arrestimit, për të siguruar që protestat të mos ndërpriteshin. Ky planifikim i kujdesshëm ishte thelbësor për suksesin e protestave.

Mbledhjet zhvilloheshin tri herë në ditë në shtëpinë e Prof. Ali Hadrit. Kushti kryesor ishte që protesta të ishte plotësisht paqësore, pa kompromis. Fetahu kujtonte me krenari se të gjithë organizatorët dhe pjesëmarrësit i qëndruan këtij parimi. “Ishim të disiplinuar,” pohonte ai, duke theksuar rëndësinë e organizimit të kujdesshëm.

12 tetor 1992, erdhi dita e protestës. Ishte ora 12:00 dhe protestuesit nisën të mblidheshin te Fakulteti Filologjik. Vinin nga të gjitha institucionet e uzurpuara, ndërsa oborri mbushej plot e përplot, pankartat u ngritën lart, duke shpërfaqur qartë kërkesat e tyre. Në mesin e turmës, Fetahu vuri re dikë që po afrohej – ishte Adem Demaçi. Prania e tij dha një mbështetje të jashtëzakonshme dhe ndihmoi në koordinimin për tejkalimin e rrethimit policor, veçanërisht te rektorati. 

Në orën 12:30, protestuesit ishin gati për të nisur marshutën e planifikuar. Rruga do të fillonte nga Fakulteti Filologjik, duke kaluar nëpër sheshin kryesor për të përfunduar te Teatri Kombëtar. Çdo hap ishte i menduar me kujdes për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur përplasjet me policinë. Atmosfera ishte e tensionuar, por organizatorët ishin të përgatitur për çdo situatë.

Gjatë kësaj ore të mbushur me tension dhe pasiguri, Fetahu u thirr nga policia, e cila kërkonte që ai të shpërndante protestuesit. Përgjigja e tij ishte e prerë: “Ju keni punën tuaj, dhe ne punën tonë.” Policia e kërcënoi disa herë, por protestuesit qëndruan të qetë. Ky rezultat nuk ishte rastësi – ishte fryt i planifikimit të kujdesshëm dhe mbledhjeve të përditshme, që organizoheshin deri në nivel lagjesh e komunitetesh, sipas Fetahut. Kjo disiplinë dhe organizim i imtësishëm ishin arsyeja pse nuk pati incidente nga ana e protestuesve. Protestat u mbajtën njëkohësisht në qendrat kryesore të Kosovës: Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj.

Më 13 tetor, protesta vazhdoi përpara institucioneve të uzurpuara nga regjimi serb. Udhëheqësit e institucioneve kishin për detyrë të lexonin deklaratat dhe t’ia dorëzonin autoriteteve serbe kërkesat për lirimin e objekteve shkollore. Kjo ishte një përpjekje e organizuar për të ushtruar presion dhe për të kërkuar rikthimin e të drejtave të mohuara.

Fetahu vlerëson se në protestat e 12 dhe 13 tetorit 1992 morën pjesë rreth 600,000 qytetarë nga e gjithë Kosova. Ky organizim ishte vendimtar për mbijetesën e arsimit shqip. Po të mos ndodhnin këto protesta, sistemi arsimor do të rrezikohej të ndalej plotësisht. “Po të mbylleshin krejtësisht shkollat, Kosova do të zbrazej,” deklaroi ai me bindje të plotë. Protestat ishin dëshmi e vendosmërisë së popullit për të vazhduar mësimin, pavarësisht presionit dhe rreziqeve.

Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Fetahu vazhdoi të kontribuonte në sektorin e arsimit në Kosovë. Ai u emërua Shef i Arsimit Parafillor në vitin 2002, duke ndihmuar në rindërtimin dhe përmirësimin e sistemit arsimor. Për kontributin e tij të vazhdueshëm dhe të palodhur, ai ka marrë mirënjohje të shumta nga institucione dhe organizata të ndryshme.


Shtrimtare e tregimit: Adea Batusha