Tregimi i Eufrozina Nurës, profesoreshës së kimisë e cila ka dhënë mësim në shtëpinë shkollë të Herticëve nga viti 1992-1998
Gjimnazi "Sami Frashëri" Mehmet AliuTregimi i Zijadin Gashit, kryetar i Këshillit të Arsimit të Komunës së Prishtinës nga viti 1990 deri 1999
Gjimnazi "Xhevdet Doda" Zijadin GashiTregimi i Nerimane Kamberit, profesoreshë e frëngjishtes, shkrimtare dhe poete
Fakulteti i Filologjisë Bajram BajramiLinda ishte nxënëse e shkollës së mesme në vitet e ’90-ta. Jetonte në lagjen Dardania të Prishtinës dhe mësimet i ndoqi në njërën prej ‘shtëpive-shkolla’, të njohur si Shtëpia e Herticëve. Sot, nga zyra e saj në Universitetin e Prishtinës, ku është profesore në Departamentin e Sociologjisë, ajo e kujton atë periudhë si një përvojë shumë domethënëse për formësimin e saj.
Fillimi i viteve ’90 shënoi ndërtimin e mureve ndarëse mes shqiptarëve dhe serbëve – herë të dukshme e herë të padukshme. Linda shpjegon shkollën fillore ku vijonte mësimet, e quajtur “Vladimir Lenin,” sot “Dardania,” si një nga institucionet më të mira të kohës. Por për të, kushtet e mira të mësimit nuk zgjatën shumë.
Linda kujton momentin kur nxënësit shqiptarë u detyruan të kalonin në pjesën më të keqe të ndërtesës, me hapësira të ftohta dhe të papërshtatshme për mësim. Ajo tregon se si miqësitë ndër-etnike, që dikur ishin të natyrshme, u shuan thuajse brenda natës. Për Lindën, kjo periudhë ishte si një rrëshqitje e ngadaltë drejt një ndarjeje të pashmangshme, që fillimisht ndihej në detaje të vogla, por më pas u bë gjithnjë e më e thellë dhe më e dhimbshme.
Në vitin 1992, momenti kur ajo duhej të niste shkollën e mesme, e gjeti Lindën dhe gjeneratën e saj përballë një realitet të ashpër: shkollat ishin me dyer të mbyllura për nxënësit shqiptarë. Megjithëse ajo dhe nxënësit e tjerë u paraqitën në ndërtesën e shkollës “Sami Frashëri” me shpresën për të nisur vitin e ri shkollor, u pritën nga forca policore dhe një vendim i prerë – mësimi ishte ndaluar. Për Lindën, ajo ditë shënoi fundin e arsimit në hapësirat publike.
Arsimi në gjuhën shqipe gjeti strehë në shtëpi private. Për Lindën dhe bashkëmoshatarët e saj, Shtëpia e Herticëve në lagjen Kodra e Trimave u bë shkolla e re. Kjo formë e improvizuar e arsimit kërkonte përshtatje të menjëhershme dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm nga të gjithë – nxënës, mësimdhënës dhe prindër.
Linda e kujton rrugën drejt Kodrës së Trimave ku gjendej ‘shtëpi-shkolla’ e Herticëve, si të gjatë dhe të mbushur me rreziqe. Çdo mëngjes fillonte duke u takuar me shoqen e saj të ngushtë, dhe së bashku i bashkoheshin një grupi të vajzave në qendër të qytetit. Ishte një rit i heshtur solidariteti që i mbante të bashkuara. Por kjo rrugë nuk ishte kurrë e qetë. Teksa ecnin, ato shqyenin posterat e Milosheviqit nga muret dhe shtyllat, një akt revolte që u jepte një ndjenjë të vogël fuqie në mes të represionit. Por ky veprim kishte kosto – shpesh ndiqeshin nga policia serbe.
Kur Linda arriti për herë të parë te Herticët, shtëpia dukej si çdo shtëpi tjetër e zakonshme, e mobiluar me divane dhe orendi familjare. Por pas disa javësh, mobiljet u zëvendësuan me shpuza dhe shilte të shtruara në tokë, duke krijuar një ambient të ngjashëm me odat tradicionale. Rreth dyzet nxënës ngjesheshin në këtë klasë të improvizuar, ndërsa një tabelë e vogël ishte ngjitur në mur. Nëna e saj i kishte qepur një sungjer të vogël për t’u ulur, të cilin e fuste në çantë. “I thosha mamit, nëse është më e madhe se çanta nuk e marr,” kujtonte ajo me buzëqeshje.
Nxënësit hiqnin këpucët para se të hynin në shtëpi dhe kujdeseshin për hapësirën, duke ndihmuar në pastrimin e saj pas mësimit. Kalimi nga një shkollë formale në një shtëpi-shkollë solli më shumë se ndryshime praktike. Afërsia fizike u shoqërua me një afërsi emocionale, duke krijuar një ndjenjë solidariteti të veçantë. “Ishim të mbështetur te njëri-tjetri,” përshkruan Linda, duke reflektuar mbi atë periudhë.
Linda, gjatë bisedës sonë rrëfen edhe për nisjen e një reviste shkollore të quajtur Feniks, e cila, siç e përshkruan ajo, ishte një përpjekje për të rikthyer një ndjesi normaliteti në një kohë të mbushur me të panjohura. Së bashku me një grup nxënësish dhe me mbështetjen e profesorit Nazim Lleshi, ata e realizuan këtë iniciativë në një dhomë të vogël. Revista trajtonte tema të ndryshme, duke krijuar një hapësirë për diskutime që mungonin në jetën e tyre të përditshme.
Edhe studimet universitare Linda i filloi në një kohë kur trazirat në Kosovë po intensifikoheshin. Paralelisht, ajo u angazhua si gazetare në terren, duke raportuar mbi ngjarjet e asaj periudhe. Pas përfundimit të luftës, vazhdoi studimet në Universitetin e New York-ut (NYU) në SHBA. Më pas, u kthye në Prishtinë, ku vazhdon të punojë sot si profesoreshë në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Periudhën e mësimit në ‘shtëpi-shkolla’ Linda e risjell vazhdimisht edhe përmes punës së saj profesionale. Gjatë orëve të lëndës ‘Sociologji Urbane’, kësaj teme gjithnjë ia dedikon kohën e posaçme veçanërisht kur ajo vëren se shumë studentë nuk e njohin mirë këtë periudhë, disa madje as që kanë dëgjuar për ‘shtëpitë-shkolla’. Çdo vit, për të rikujtuar dhe për të mësuar nga kjo histori, studentëve iu drejtohej e njëjta pyetje: “Çka dini për shtëpitë-shkolla?”Për të mbushur këtë boshllëk, Linda poashtu organizon vizita të rregullta në Shtëpinë e Herticëve, një aktivitet i rregullt për ruajtjen e kujtesës kolektive.
Përtej klasave të Universitetit, Linda vazhdon të punojë për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive të periudhës së ‘shtëpive-shkolla.’ Ajo ka udhëhequr dhe marrë pjesë në iniciativa të shumta për dokumentimin dhe prezantimin e kësaj periudhe për publikun, duke mbledhur dëshmi, digjitalizuar materiale, zhvilluar filma dokumentarë dhe regjistruar histori gojore. Në vitin 2017, ajo ishte pjesë e grupit që nisi punën për ta shndërruar Shtëpinë e Herticëve në muze, një hapësirë ku historia e rezistencës dhe solidaritetit për arsimin mund të ruhet dhe të mësohet nga brezat e ardhshëm.
Shkrimtare e tregimit: Adea Batusha