Tregimi i Eufrozina Nurës, profesoreshës së kimisë e cila ka dhënë mësim në shtëpinë shkollë të Herticëve nga viti 1992-1998
Gjimnazi "Sami Frashëri" Mehmet AliuTregimi i Zijadin Gashit, kryetar i Këshillit të Arsimit të Komunës së Prishtinës nga viti 1990 deri 1999
Gjimnazi "Xhevdet Doda" Zijadin GashiTregimi i Nerimane Kamberit, profesoreshë e frëngjishtes, shkrimtare dhe poete
Fakulteti i Filologjisë Bajram BajramiDrita Kadriu ka lindur dhe vazhdon të jetojë në qytetin industrial të Mitrovicës. Ajo është aktualisht Drejtore e Arsimit në këtë komunë, ndërsa karriera e saj në arsim filloi si mësimdhënëse në shkollën “Fazli Grajçevci”. Më vonë, gjatë viteve të ’90-ta, mori detyrën e Drejtores së Shkollës “Meto Bajraktari”.
Drita nisi bisedën duke shprehur se ndihej e bekuar që kishte jetuar në një periudhë të pasur me ndryshime të mëdha për Kosovën. Ajo e përshkruan Mitrovicën e viteve ’70 si një qytet në lulëzim, pas rrëzimit të Rankoviqit. Sipas saj, miratimi i Kushtetutës së vitit 1974 ishte një moment që solli një zhvillim të dukshëm, veçanërisht në arsim, i cili kishte një ndikim të thellë në jetën e përditshme. Ky përparim ndihmoi në forcimin e pozitës politike të shqiptarëve brenda Jugosllavisë, duke hapur mundësi të reja për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe avancimin e tyre shoqëror.
Fëmijërinë e saj në Mitrovicë, Drita e kujton me shumë nostalgji. Ajo tregoi se ishte një kohë kur mësimdhënësit dhanë gjithçka nga vetja për t’u siguruar që çdo fëmijë të merrte maksimumin. Mësimi zhvillohej pothuajse gjithëditor, dhe aktivitetet jashtëkurrikulare, si kori, vallja dhe sporti, ishin pjesë e pandashme e jetës shkollore. Me emocion, rrëfeu se kur ishte vetëm 6 vjeç, vizitoi kinemanë për herë të parë dhe shikoi filmin “Skënderbeu”. Mitrovica e asaj kohe ishte një qytet i gjallë, me një jetë të pasur kulturore dhe një frymë komunitare.
Në vitin 1977, Drita përfundoi shkollën e mesme dhe i vazhdoi studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Prishtinë, në degën e Biologjisë. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1989, Drita filloi punën si mësimdhënëse në shkollën “Fazli Grajçevci”. Për të, kjo ishte një ëndërr e realizuar. “Isha shumë e lumtur, sepse aty e mësova tamam pedagogjinë,” shpjegon ajo. Në fakultet, përgatitja pedagogjike për mësimdhënësit e shkencave natyrore ishte e kufizuar, ndaj puna praktike ishte e vlefshme për të formuar aftësitë e saj të mësimdhënies.
Pas një periudhe si mësimdhënëse, Drita u rekomandua për pozitën e Drejtoreshës së Shkollës “Meto Bajraktari” dhe e pranoi. Për të, kjo ishte një sfidë e madhe dhe e vështirë. “Është dashtë me pasë guxim, sepse udhëheqja kërkon guxim,” tha ajo. Në atë kohë, ishte e pazakontë që gratë të merrnin role drejtuese, ndaj u përball me skepticizëm dhe rezistencë.
Përgjatë kohës që ishte Drejtore e Shkollës “Meto Bajraktari”, Drita nuk mbante vetëm përgjegjësitë për shkollën e saj, por ishte gjithashtu aktive në organizimin e mësimit në 'shtëpi-shkolla' në Mitrovicë. Merrte pjesë rregullisht në mbledhjet mujore që mbaheshin në shkollën “Migjeni”, ku funksiononte edhe Këshilli i Arsimit. Në këto takime diskutohej për mënyrat e mbrojtjes së nxënësve dhe ruajtjen e sigurisë në shkolla përballë kërcënimeve të përditshme nga forcat serbe, të cilat, për shkak të masave represive të Serbisë, përfundimisht çuan në mbylljen e shkollave të mesme.
Shkolla “Meto Bajraktari” ndodhej përballë një kazerme ushtarake, duke e bërë të ekspozuar ndaj një presioni të përditshëm. Edhe pse nxënësit shqiptarë dhe serbë ndanin të njëjtën ndërtesë, atmosfera ishte gjithmonë e tensionuar. Policia serbe vizitonte shpesh shkollën për të kryer kontrolle dhe për të pyetur në mënyrë intimiduese se çfarë po mësonin nxënësit dhe cilat ishin planprogramet që ndiqnin.
Drita kujton me trishtim ngjarjet që çuan në mbylljen e shkollave dhe kthimin e nxënësve në shtëpi. Ajo përshkruan sesi pas ndalimit të pagave, dhe helmimeve të nxënësve, shkollat filluan të mbyllen njëra pas tjetrës. “U kthyem në shtëpi,” vazhdoi rrëfimin, duke iu referuar periudhës kur shkolla që drejtonte funksionoi në kushte të jashtëzakonshme.
Megjithatë, në shtator, edhe pse situata ishte e rrezikshme, mësimdhënësit dhe prindërit morën vendimin të sfidonin autoritetet serbe dhe kaluan tri kordona policësh për të vazhduar mësimin.
Objekti i shkollës fillore u detyrua të priste edhe nxënësit e shkollave të mesme. Si rezultat, klasat u mbushën tej mase, orët e mësimit u shkurtruan dhe ndërrimet ishin të nevojshme për të mundësuar mësim për të gjithë. Ky ishte realiteti i përditshëm i nxënësve. Për hir të fëmijëve, mësimdhënësit dhe prindërit përpiqeshin të ruanin një ndjenjë normaliteti. Organizoheshin festa, dhe klasat zbukuroheshin, por çdo dekor duhej të hiqej në fund të ditës për të shmangur ndëshkimin nga policia serbe. Të nesërmen, gjithçka vendosej përsëri.
Sipas Dritës, Mitrovica e asaj kohe kishte një rëndësi të veçantë falë minierës së Trepçës, e cila tërhiqte ekspertë dhe intelektualë nga e gjithë Jugosllavia. Ishte një brez drejtorësh të guximshëm, të cilët përballeshin me vendime të vështira në një kohë të mbushur me rezistencë dhe presion të vazhdueshëm. "Ishte një sfidë e përditshme – rrezik ishte të qëndroje në vend por dhe të bëje dy hapa përpara," u shpreh ajo.
Drita thekson solidaritetin e jashtëzakonshëm që mbizotëronte në atë periudhë. Në një situatë ekonomike të rënduar, mësimdhënësit, për shembull, nuk paguanin biletat e autobusëve – një shenjë mbështetjeje nga komuniteti që e kuptonte rëndësinë e punës së tyre.
Edhe pse trysnitë dhe kërcënimet ishin të përditshme, frika nuk mundi ta ndalte Dritën dhe kolegët e saj. Ata vazhduan punën në arsim për ta siguruar vazhdimësinë e mësimit me përkushtim.
Pas përfundimit të luftës, Drita ka vazhduar të shërbente si drejtoreshë në shkollën “Meto Bajraktari” deri në vitin 2004. Ky angazhim e çoi më tej në një karrierë të suksesshme në sferën publike. Midis viteve 2008-2010, ajo shërbeu si Deputete e Republikës së Kosovës, ndërsa më pas punoi si këshilltare në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Nga viti 2022, Drita mban pozitën e Drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Mitrovicës.
Shkrimtare e tregimit: Adea Batusha