Tregimi i Sami Ramës, mësimdhënës përgjatë viteve ’90 në shkollën e mesme teknike “Trepça”

  • Shkolla e mesme teknike "Arkitekt Sinani"

  • Latif Jashari

Sami Rama, i lindur në vitin 1966 në Mitrovicë, ka përfunduar studimet në vitin 1989 në Fakultetin e Xehtarisë dhe Metalurgjisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Ai ishte mësimdhënës përgjatë viteve ’90 në shkollën e mesme teknike “Trepça.”

Samiu përfundoi shkollën e mesme në Gjimnazin “Silvira Tomazini.” Ndonëse i ri, kishte përjetuar kontrollin e madh të forcave policore serbe atëbotë. Ai mban mend protestat e vitit ’81 si diçka të veçantë në kujtesën e tij, por çka i kishte lënë përshtypje ishte pamja e nxënësve duke kërcyer nga dritaret për t’iu bashkuar demonstratave.

Ai ka qenë student në gjysmën e dytë të viteve ’80, në momente kur po ndërrohej sistemi, por nuk kishte qetësi; shumë shpejt filluan grevat e minatorëve, ku Samiu, bashkë me kolegët, ishin të solidarizuar me ta. Ishin absolventë kur vendosën të mbanin grevë po ashtu në fakultet. Samiu iu kishte bashkuar edhe marshit që kishte ndodhur nga Mitrovica në Prishtinë në mbështetje të minatorëve në vitin 1989.

Në vitin 1990, Samiu fillon rrugëtimin e tij si mësimdhënës në shkollën e mesme teknike “Trepça.” Kjo shkollë ka qenë e para që është mbyllur kur kanë filluar dëbimet nga arsimi në fillim të viteve ’90. Prandaj, mësimet filluan në një objekt tjetër, në shkollën fillore që sot quhet “Skënderbeu.” Kjo shkollë, sipas Samiut, mbart një rëndësi të madhe në atë kohë, për shkak se funksiononte si strehë për një numër jo të vogël të institucioneve arsimore, përfshirë shkollën teknike dhe disa shkolla fillore.

Duke marrë parasysh profilin e Samiut si inxhinier i diplomuar, mësimi praktik ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm. Por, për shkak të situatës së të dhënit mësim në shtëpitë-shkolla, ky mësim ishte i pamundur, duke u detyruar të bazoheshin më shumë në teori.

Ai rikujton se ka pasur shumë vizita policore gjatë kohës që ka dhënë mësim. Në vitin shkollor 1991-92, policia i largon edhe nga objekti i shkollës “Skënderbeu,” dhe mësimet në shkollën e mesme teknike “Trepça” filluan të mbaheshin në një shtëpi private, afër stacionit të autobusëve, tek shtëpia e Sheremet Maliqit. Kjo ka vazhduar deri në vitin 1992. Samiu sqaronte se ishin të bindur se do të lejoheshin të ktheheshin në objektet përkatëse shkollore, pasi që në vitin ’92 mbahen zgjedhjet e para të lira, krijohen institucionet, qeveria në ekzil dhe hartohet dokumentacioni pedagogjik, si dëftesat, librat, ditarët dhe vulat, për t’u përgatitur për një proces normal mësimor.

Nuk ndodhi ashtu. Në vitin 1993, ka ndërhyrë prapë policia, në lagjen Bajr, tek shtëpia e Latif Jasharit. Më tutje, tregonte Samiu, në çdo moment priteshin ndërhyrjet. Por më 20 maj 1993, rrëfen ai, “Më kujtohet shumë mirë, ishte e enjte,” sesi forca të shumta policore ia bastisën shtëpinë në fshat në orën 8 të mëngjesit, për shkak se ai dhe mësimdhënës të tjerë mbanin dëftesat në shtëpi. “Ne i vulosëm me vulë të Republikës së Kosovës,” pohoi Samiu, duke vazhduar tregimin e tij sesi atë ditë, bashkë me kushëririn dhe babain e ndjerë, ishin arrestuar dhe mbajtur tërë ditën në SUP, të maltretuar e abuzuar fizikisht nga policia serbe.

Në vitin 1994, dikur në dhjetor, sërish në lagjen Bajr, në një shtëpi tjetër, ndërhyri policia. Në atë shtëpi-shkollë mbahej mësim në tre ndërrime, dhe në atë moment Samiu ishte duke dhënë mësim në ndërrimin e dytë, së bashku me dy kolege, Drita Idrizin për gjuhën shqipe dhe Advije Haxhiun për matematikë, dhe në orën 11, i kishin zënë aty, ndërsa përgatisnin dhomat me banka dhe tabela. Para se të hynte policia, i kishin ndezur stufat.  Ishte ditë e ftohtë dhe me mjegull të dendur, përshkruante Samiu. Nxënësit, teksa vinin në shkollë, kishin vërejtur policinë që po sillej përreth. Shtëpia kishte një oborr të rrethuar me mur. Ata mbyllën derën kryesore, por policia kaloi murin dhe hyri në klasë. Samiu tregonte sesi përpiqej të mbante qetësinë e nxënësve, duke u thënë të mos frikësoheshin, sepse caku ishte ai dhe jo ata. 

Policia hyri duke bërtitur: “Çfarë po bën këtu?” dhe e nxorën nga klasa në korridor për ta sulmuar fizikisht. “Lironi nxënësit, veproni ndaj meje si të doni,” u kishte thënë Samiu. Por, atë ditë u maltretuan edhe nxënësit. Klasat u lanë të shkatërruara, dhe Samiun e detyruan të kapte stufën e ndezur, duke i shkaktuar djegie të thella në duar.

Samiu përshkruante ato momente si jashtëzakonisht të tmerrshme. I lënduar, takoi profesor Bashkim Koliqin, i cili e dërgoi në një ambulancë të improvizuar për të marrë ndihmën e parë. Megjithë këto ngjarje, Samiu thoshte se motivi mbetej i fortë dhe ata iu rikthyen sërish procesit mësimor. Ata tentuan përsëri të ktheheshin në objektet shkollore, por u përballën me ndërhyrje të reja. Në një rast, në vitin 1994, Samiu dhe pesë kolegë të tij u arrestuan dhe u maltretuan fizikisht për tërë ditën.

Samiu, i cili ka përjetuar shumë momente të rënda gjatë dekadës së viteve ’90, punoi si mësimdhënës nga viti 1990 deri në vitin 2021. Sot, ai vazhdon kontributin e tij në arsim si drejtor i shkollës teknike “Arkitekt Sinani.”


Shtrimtare e tregimit: Adea Batusha