Tregimi i Fazli Hajrizit, mësimdhënës në Gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë

  • Gjimnazi "Frank Bardhi"

  • Hasan Beloshi

Fazli Hajrizi, i lindur në Kotorr, Skenderaj, më 1949, vjen nga një familje e madhe prej 35 anëtarësh. Ai përfundoi shkollën fillore në Runik, duke kaluar çdo ditë përmes rrugëve të vështira, përfshirë male dhe përrenj, por ia doli të mbaronte arsimin tetëvjeçar atje. Ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, “Kisha prirje për letërsi dhe dëshirë për lexim,” shprehej ai. Kështu nisi rrugëtimin e tij si mësimdhënës. Ai punoi fillimisht në Skenderaj, më pas në Gjimnazin e Vitisë dhe e vazhdoi mësimdhënien në Gjimnazin “Frang Bardhi”.

Sipas atij, jeta ka qenë e vështirë. Ai shpjegon se, në mesin e viteve ’50, ishte ndërtuar një objekt i thjeshtë shkollor, ndërsa më parë mësimi mbahej në oda. Pavarësisht kushteve të rënda, entuziazmi për t’u shkolluar ishte i madh. “Shkollimi është e vetmja rrugë që të çon drejt perspektivës, drejt dritës,” këmbëngulte duke thënë se mësimdhënësit e tij ishin motivimi kryesor për të dhe për vëllezërit që të vazhdonin arsimimin.

Ai më pas u zhvendos në Mitrovicë, gjë që për të ishte sfiduese, por dëshira për dije dhe për të gjetur një vend pune ishte shumë e madhe. Babai i tij, një autodidakt që kishte mësuar vetë shkrim dhe lexim, ishte shtysa kryesore për Fazliun që të arsimohej dhe të arrinte më shumë. Ai vlerësonte edhe nënën, e cila vazhdimisht kujdesej për të në çdo aspekt. Ishte e rëndësishme qw të mbante suksesin akademik të pandryshuar dhe të mos gabonte. Një herë, një profesor i frëngjishtes e kishte qortuar pasi e kishte parë në korzo. “Por unë as nuk e dija çfarë ishte korzoja,” shton ai. Atë natë nuk e zuri gjumi nga turpi që mendonte se kishte bërë diçka shumë të gabuar. Megjithatë, ai e vlerësonte jetën kulturore të asaj kohe si të gjallë dhe të bukur, duke kujtuar shfaqjet teatrale që ndiqte me shoqërinë.

Periudha më e vështirë ishte kur Serbia filloi të ushtronte trysni për ndryshimin e planprogrameve. Autorët shqiptarë hiqeshin nga kurrikula dhe zëvendësoheshin me autorë serbë. Këto ndryshime nuk u pranuan nga shqiptarët. Në vitin 1989, kur Kosovës po i hiqej subjektiviteti, greva e minatorëve u bë vija e kuqe. “Minatorët ishin barrikada,” theksonte ai.

Të gjitha shkollat e mesme u mbyllën. Nga shtatori i vitit 1991 deri në shkurt të vitit 1992, Fazliu, së bashku me kolegët, priste mundësinë për të vazhduar mësimin. Dhe ashtu ndodhi: filloi funksionimi i shtëpive-shkolla sipas variantit C. Në Mitrovicë, për mësimin e mesëm u shfrytëzuan edhe objektet e shkollave fillore.

Në fillimin e viteve ’90, “u nda shapi nga sheqeri,” tha Hajrizi. Shkollat e mesme, më saktësisht objektet e tyre, funksiononin vetëm për nxënësit serbë, që ishin të paktë në numër. Dita kur i larguan nuk ishte e papritur, pasi paralajmërimet kishin filluar më herët, madje u kërcënuan edhe me ndalimin e pagave.

Më 1 shtator 1991, Fazliu me kolegët kërkuan të hynin në shkollë, por policia nuk i lejoi, edhe pse provuan disa herë. Ata prisnin udhëzimet nga drejtoritë komunale dhe vepronin sipas tyre. “Kur pamë që nuk po na lejonin të hynim në objektin tonë, u siguruan të kërkojmë objekte të tjera,” kujtonte ai. Rreth 40 shtëpi u ofruan për shkolla të mesme: rreth tetë për gjimnazin, pesë ose gjashtë për shkollën e mjekësisë dhe disa të tjera për shkollën ekonomike, shkollën e lartë teknike për metalurgji.

Kur ndalej terrori, klasat e para dhe të dyta të shkollave të mesme vazhdonin mësimin në objektin e shkollës fillore “Migjeni” dhe “Skënderbeu.” Mësimi filloi në shtëpinë e Azem Sylejmanit në Tavnik, pastaj vazhdoi në shtëpinë e Hasan Beloshit, për të vijuar më pas në shtëpinë e Fahri dhe Hysen Aliut. Poashtu, mësimi u mbajt edhe në shtëpinë e Nysret Maxherrës, pranë stacionit të autobusëve.

 “Aty ka qenë tmerr, na kanë rrahur si shtazë,” thoshte me trishtim ai. Megjithatë, gjendja nuk ishte më e mirë as në shkollën “Migjeni.” Ai rrëfente për keqtrajtimin e mësimdhënësve, dhe shpesh frikësohej se të nesërmen nxënësit mund të mos vinin më. Por jo, ata vinin të gjithë. “Mjaftonte që ishim pranë njëri-tjetrit,” thoshte ai.

Sipas tij, nuk kishin mundësi t’i kundërviheshin dhunës. Një ditë, në vitin 1994, në shkollën “Migjeni,” pasi ra zilja, pas disa minutash e gjithë shkolla u bllokua. Të gjithë u munduan të ruanin gjakftohtësinë. “U afruam te dritarja për të kuptuar çfarë po na priste,” rrëfente ai, duke vijuar historinë e tmerrshme kur policia serbe hyri dhe i çoi mësimdhënësit në katin e tretë të shkollës. Aty më së shumti vuajti Muharrem Peci, i cili pësoi shumë lëndime. Për fat të mirë, nxënësit nuk u prekën. Edhe mësimdhënëset, si Fëllanza Mehmeti dhe Sabile Mripa, ishin kursyer nga maltretimet e rënda.

Kushtet për shkollim ishin të rënda, por njerëzit kontribuonin në çfarëdo mënyre që mundnin: duke dhuruar dru, duke ndërtuar banka shkollore dhe duke ofruar mjete të tjera. Fazliu tregonte se shumë nxënës detyroheshin të udhëtonin çdo ditë, ndaj një herë u bë një marrëveshje që të shfrytëzohej banesa e Bardh Bekteshit për t’u ofruar nxënësve një lehtësim. Ai sillte ndër mend me pikëllim kur ndonjëherë nxënësit mungonin për 2-3 ditë radhazi, dhe më vonë kuptohej se kishin migruar në vende si Suedia ose Zvicra. Ky numër vetëm rritej ndërsa gjendja përkeqësohej. Lënda e tij nuk kërkonte shumë mjete për konkretizim, por ata përpiqeshin të imitonin një klasë normale, duke përdorur shkumës dhe tabelë. 

Koordinimi bëhej në shtëpinë e Azem Sylejmanit, ku drejtori kishte një zyrë dhe aty publikonte oraret, duke informuar të gjithë se ku do të vazhdonin më pas. Ishte e zakonshme që ai dhe shumë kolegë të tij të udhëtonin nga një shtëpi në tjetrën. 

Më 13 mars 1999, një granatë ra në treg, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe të plagosur. Fazliu kontaktoi drejtorin përmes telefonit, duke pritur përgjigje nga drejtoria e arsimit për të kuptuar se si duhej vepruar më tej për mësimin. Pas një ore, u njoftuan se mësimi do të ndërpritej, duke shënuar kështu ditën e fundit të shtëpive-shkolla në Mitrovicë.

Fazliu ka shkruar monografi për shkollat e mesme në Mitrovicë, duke vazhduar kështu kontributin e tij për arsimin edhe pas luftës, pas pensionimit si mësimdhënës. Ai e kujton atë periudhë si jashtëzakonisht të rëndë, por me mobilizim të madh, dhe shpreson që të rinjtë, pavarësisht se ku shkollohen jashtë vendit, të kthehen përsëri në Kosovë.


Shtrimtare e tregimit: Adea Batusha